Eksperti i sigurisë, Fatmir Çollaku ka thënë se operacioni për kidnapimin e tre pjesëtarë të policisë brenda territorit të Kosovës nga forcat serbe, ka qenë i përgatitur mirë.
Ai ka thënë se në raste të tilla bien edhe Polici më të konsoliduara.
“Është e pamundur të parandalohen në çdo situatë aksionet e tilla edhe policitë më kufitare më të konsoliduara mund të bijën kur një pjesëtarë i tyre gjendet në një situatë ta caktuar”, ka thën ai në “InfoNata” në Tëvë 1.
Sipas tij policët nuk kanë pasur mundësi rezistimi dhe çdo tentim për rezistim do të ishte fatal.
“Zërat që kamë dëgjuar dhe unë i kam përcjellë me shqetësim, s’kanë pasur mundësi me rezistu, sepse çdo përpjekje e rezistimit në atë situatë do të ishte fatale. Prandaj duhet me shpreh keqardhje dhe me inkuraju ata njerëz sepse kanë qenë në kryerje të detyrës dhe si detyrë është shumë delikate dhe specifike”, ka thënë Çollaku
E për këtë ka folur edhe zëdhënësi i PK-së, Baki Kelani në konferencën e jashtëzakonshme për media.
Ai tha se policët kanë të drejtë të përdorin çdo mjet të mundshëm, por ka thënë se ky rast ka qenë një veprim i organizuar i kidnapimit klasik.
“Çdo zyrtar policor i di detyrat e veta se si duhet të veprojë dhe si janë të përcaktuara edhe me ligj, por edhe si janë të përcaktuara me procedurë. Mirëpo, nganjëherë situata dhe forma e rastit të dirigjon ndryshe dhe në këtë rast, duke e parë që ka qenë një veprim i organizuar për një kidnapim klasik, ka ndodhur ky rast ashtu siç ka ndodhur. Në raste tjera normal që zyrtarët policorë kanë të drejtën të përdorin çdo mjet të mundshëm, mirëpo ka qenë një kidnapim klasik i organizuar”, tha Kelani.