Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar në gjashtëvjetorin e shkuarjes në Hagë të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar të padrejtë dhe të papranueshëm aktgjykimin e shkallës së parë prej gjithsej 81 vjetësh burgim.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka thënë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi prej gjashtë vjetësh janë larg familjeve, vendit dhe lirisë.
Ajo ka kundërshtuar fuqishëm aktgjykimin, duke pretenduar se ai bie ndesh me provat, standardet e një gjykimi të drejtë dhe të vërtetën historike të luftës çlirimtare të Kosovës.
Çitaku ka theksuar se në këtë proces nuk është vënë në pikëpyetje vetëm fati i katër ish-krerëve të UÇK-së, por edhe historia e luftës dhe rruga e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë.
Tutje, ajo ka bërë thirrje për angazhim të përbashkët shtetëror, përtej dallimeve partiake, në hartimin e një strategjie për procesin e apelit, forcimin e mbrojtjes juridike, sigurimin e mbështetjes financiare dhe intensifikimin e angazhimit diplomatik.
Ajo ka bërë të ditur gjithashtu se po punohet për plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, me synimin e krijimit të një mbështetjeje më të plotë juridike për ish-krerët e UÇK-së.
Në fund, Çitaku ka theksuar se kërkesa e tyre është drejtësia dhe jo privilegjet, duke shtuar se një aktgjykim nuk mund ta shtrembërojë historinë e popullit të Kosovës.







