Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se votimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është obligim jo vetëm politik, por edhe kombëtar.
Pas përfundimit të seancës, Çitaku tha se deputetët e PDK-së nuk do të largohen nga Kuvendi pa u miratuar projektligji në lexim të dytë.
“PDK nuk largohet nga Kuvendi pa miratimin në lexim të dytë të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Nuk është ligj i PDK-së e as për PDK-në. Është ligj për të ardhmen e Kosovës”, deklaroi Çitaku.
Ajo theksoi se kjo çështje, sipas saj, nuk duhet të jetë pjesë e kompromisit politik, duke u bërë thirrje të gjithë deputetëve që të jenë të pranishëm në sallë.
“Nuk është ligj për kompromis. Për secilin prej nesh duhet të jetë detyrim. Nuk i bëhet nder, kushtimisht PDK-së po them, por i bëhet nder historisë. Ju bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të jenë me ne në sallë dhe të vazhdojmë me leximin e dytë”, u shpreh ajo.
Duke folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit, Çitaku tha se ajo është çështje e ndarë dhe e marrëveshjes politike.
“Votimi i ligjit është obligim, detyrim, jo vetëm politik, por edhe kombëtar. Në ndërkohë, çështja e presidentit është çështje marrëveshjeje. Janë çështje të ndara. Ne nuk negociojmë për ligjin”, deklaroi Çitaku.







