Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se partia nuk ka hequr dorë nga nisma ligjore për Dhomat e Specializuara dhe se ligji vazhdon të jetë në procedurë parlamentare dhe kushtetuese.
Në një deklaratë për Tëvë1, në gjashtëvjetorin e arrestimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, Çitaku ka folur për periudhën gjashtëvjeçare që nga arrestimi i tyre, duke e cilësuar atë si jashtëzakonisht të vështirë për familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Ajo ka thënë se gjatë këtyre viteve katër ish-krerët e UÇK-së kanë qenë të vetmuar dhe të braktisur nga shteti, ndërsa ka theksuar se ata që kanë qenë pranë tyre janë përballur me një situatë të ndjeshme, duke u përpjekur t’u ndihmojnë pa dëmtuar procesin e tyre.
“Është një ditë e rëndë për secilin prej nesh që i ka njohur dhe i njeh personalisht. Kanë qenë gjashtë vite jashtëzakonisht të vështira, në të cilat ne që i kemi pasë miq dhe bashkëpunëtorë, na është dashur të ecim nëpër teh të shpatës, duke u munduar që t’iu dalim në ndihmë dhe duke u përkujdesur që përgjatë rrugës nga vullneti i mirë të mos iu bëjmë dëm”, ka deklaruar Çitaku.
Duke folur për aktgjykimin e 16 shtatorit, Çitaku e ka cilësuar atë si të padrejtë dhe të pabazuar në fakte. Sipas saj, ky vendim ka nxitur një valë solidarizimi të qytetarëve të Kosovës dhe shqiptarëve gjithandej në mbështetje të luftës çlirimtare.
“Verdikti i 16 shtatorit nuk është një verdikt, një aktgjykim kundër katër burrave. Është aktgjykim kundër historisë, është i padrejtë dhe i pabazuar”, ka thënë ajo.
Çitaku ka theksuar se kërkesa e PDK-së është vendosja e drejtësisë dhe jo shmangia e saj, duke insistuar se procesi duhet të mbështetet në fakte dhe jo në interpretime që, sipas saj, nuk pasqyrojnë të vërtetën.
Një pjesë të rëndësishme të deklaratës së saj ia ka kushtuar edhe nismës ligjore për Dhomat e Specializuara. Ajo ka sqaruar se PDK-ja nuk e ka tërhequr ligjin dhe se ai vazhdon të jetë në procedurë parlamentare dhe kushtetuese. Sipas saj, pas miratimit në lexim të dytë, janë pranuar edhe disa rekomandime, të cilat synojnë fuqizimin juridik të ligjit dhe krijimin e kushteve për vendosjen e drejtësisë.
“Ne e kemi ndërmarrë nismën ligjore dhe kam nevojë ta saktësoj: PDK nuk ka hequr dorë nga ligji. Ligji nuk është tërhequr, ligji është në procedurë parlamentare dhe kushtetuese”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo ka shtuar se nëse ekziston vullneti politik, sikurse sipas saj ka ekzistuar më 6 tetor, ligji mund të votohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, së bashku me ndryshimet e propozuara.
Përveç nismës ligjore, Çitaku ka folur edhe për mbështetjen financiare dhe institucionale që u nevojitet ekipeve mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së. Ajo ka bërë të ditur se kërkesat për mbështetje financiare janë siguruar nga institucionet e Kosovës, duke shtuar se kjo mbështetje kishte munguar për vite me radhë.
Sipas saj, përveç ndihmës financiare, nevojitet edhe një angazhim më i gjerë politik, diplomatik dhe në fushën e marrëdhënieve me publikun. Megjithatë, Çitaku ka theksuar se grupi punues është dakorduar që diskutimet dhe vendimet të mbeten konfidenciale, për shkak të ndjeshmërisë dhe kompleksitetit të çështjes.
Në fund, ajo ka thënë se PDK-ja do të vazhdojë të angazhohet për këtë çështje dhe se nuk do të kursejë asnjë përpjekje për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.
“Po e ripërsëris, nuk bëhet fjalë për fatin personal të katër burrave që kanë qenë në gjendje me vdekë për këtë vend. Bëhet fjalë për të kaluarën dhe për të ardhmen e Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Çitaku./ teve1.info/







