Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen qëndroi sot në Prishtinë, ku u prit në takim nga presidentja Osmani. Nga aty, ajo tha se duhet të punohet edhe më shumë që Bashkimi Evropian të heqë masat ndëshkuese që ka vendosur ndaj Kosovës.
Turin e saj në Ballkanin Perëndimor e vazhdoi në Kosovë.
Pas vizitës në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen u prit të shtunën me ceremoni shtetërore nga presidentja, Vjosa Osmani.
Pas takimit, ajo theksoi se Kosova ende ka punë për të bërë deri në largimin e masave të vendosura nga blloku evropian.
“Është shumë e rëndësishme të punojmë së bashku, dhe ne kemi mirëpritur hapjen e kufirit dhe avancimin e përfaqësimit të Kosovës në CEFTA dhe pas kësaj duhet të punojmë për hapa të mëtejshëm në mënyrë që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat. Edhe kjo do të ndihmojë të binden shtetet anëtare, pasi siç e dini të gjitha shtetet anëtare duhet të jenë dakord për çdo hap. Ne të dyja jemi të përkushtuara të gjejmë hapat e nevojshëm për të arritur këto qëllime. Për mua është e rëndësishme që ta shohim Kosovën si partneren tonë dhe ta bëjmë të mundur rrugën e Kosovës drejt BE-së”, tha Von der Leyen.
Zyrtarja e lartë evropiane tha se gjatë mandatit të dytë në krye të KE-së, zgjerimi i BE-së do të mbetet top-prioritet i saj.
“E di që viteve të fundit Kosova ka punuar shumë për ta përforcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe dua t’iu sigurojë juve dhe Kosovës se në mandatin tim të dytë zgjerimi do të jetë në krye të agjendës”, tha ajo.
E presidentja Osmani edhe njëherë i bëri thirrje bllokut evropian për largimin e masave.
“Është koha e fundit që masat e padrejta ndaj Kosovës të largohen përfundimisht. Përveç të padrejta, këto masa po dëmtojnë qytetarët dhe kanë dëmtuar procesin e dialogut duke e bërë atë tërësisht të pabalancuar, pabarabartë dhe të pakredibilitet”, tha Osmani.
E para e shtetit gjithashtu kërkoi nga Bashkimi Evropian vendosjen e masave ndaj Serbisë për sulmin e 24 shtatorit.
“Është fat i keq për sigurinë e rajonit që në Ballkanin Perëndimor një shtet vazhdon të jetë sateliti më i fortë i Rusisë në Evropë, e ajo është Serbia. Është koha e fundit që vendosmëria që BE ka treguar ndaj Rusisë, të tregohet edhe ndaj satelitëve dhe shërbyesve të Rusisë në rajonin tonë. Kjo është me rëndësi sa i përket përgjegjësisë së Serbisë për aktin e agresionit ndaj Kosovës të kryer përmes forcave paramilitare terroriste në shtator gjë që sipas Shtëpisë së Bardhë ka pasur për qëllim të destabilizojë jo vetëm Kosovën por tërë Ballkanin Perëndimor”, tha Osmani.
Pas takimit me presidenten, presidentja e KE-së, takoi edhe kryeministrin Albin Kurti, për çka e përgëzoi për siç tha ajo, sukseset mbresëlënëse ekonomike të viteve të fundit.