Një dhomë në katin e katërt në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, u përfshi nga zjarri.
E gjithë ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.
Nga zjarri nuk pati lëndime në njerëz, por u dogjën disa pajisje teknologjike.
Ndërsa nga ky spital thonë se zjarri nuk e dëmtoi data bazën e as të dhënat e tjera.
“Fatmirësisht është vërejtur herët nga sigurimi i spitalit të përgjithshëm dhe është intervenuar në shuarjen e tij dhe mospërhapjen. Në atë dhomë kanë qenë pajisjet e teknologjisë informative. Në dhomën e teknologjisë janë disa pajisje të djegura, por databazat asnjë nuk është dëmtuar”, tha zëdhënësi i spitalit Naim Zahiti.
Zyrtari për media në spitalin e Pejës, thotë se zjarrin mund ta ketë shkaktuar një kabllo elektrike.
Ndërsa shton se kjo nuk e pengoi punën në spital.
“Në katin e katërt nuk ndodhen dhomat e pacientëve, nuk është shkaktuar asnjë shqetësim në punën dhe shërbimet ndaj pacienteve, gjithçka po vazhdon”, tha ai.
Menjëherë në vendngjarje, dolën edhe organet e rendit.
“Sot në mëngjes rreth orës 04:12 minuta, policia është njoftuar për një zjarr në ndërtesën e spitalit rajonal në Pejë. Menjëherë policia iu ka përgjigj thirrjes, në të njëjtën kohë kanë arritur edhe zjarrfikësit”, ka thënë ai.
Ndërkohë me rastin tani po merren edhe në Prokurorinë Themelore në Pejë.
“Është njoftuar edhe prokurori kujdestar i departamentit të përgjithshëm, me ç’rast i njëjti ka udhëzuar që të caktohet një ekspert i zjarreve dhe të bëj konstatimin se nga çka ka ardhur zjarri”, ka thënë Shkodran Nikçi.
Nga kjo prokurori, thonë se veprimet hetimore do të fillojnë pas marrjes së raportit nga eksperti i zjarrit.