Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, ka pritur në takim një delegacion të Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës, ku është diskutuar përfshirja e studentëve në hartimin e Strategjisë së re të Arsimit 2035+.
Gjatë takimit, ministri Çeku ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të studentëve në diskutimet publike dhe në proceset e hartimit të politikave arsimore.
Sipas tij, përfshirja e tyre është e rëndësishme që strategjia e re të pasqyrojë nevojat dhe vizionin e të rinjve.
Në takim është diskutuar edhe për gjendjen e arsimit të lartë, me theks te mbështetja financiare për studentët, skemat e bursave dhe përmirësimi i kushteve të studimit dhe jetesës.
Përfaqësuesit e Parlamentit Studentor kanë ngritur çështje që lidhen me infrastrukturën universitare, kushtet e strehimit në konvikte dhe shërbimet e ofruara nga Qendra e Studentëve.
“Takimi rikonfirmoi përkushtimin e Ministrisë për dialog të vazhdueshëm me studentët, me synim që zëri i tyre të jetë pjesë përbërëse e reformave në arsim”, theksohet në fund të njoftimit./teve1.info/








