Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), duke komentuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ka vlerësuar se vendimi balancon situatën aktuale dhe u jep kohë institucioneve për ta përmbyllur procesin.
Sipas tij, aktgjykimi rikonfirmon parimet për afatet kushtetuese, veçanërisht në raport me zgjedhjen e Presidentit, duke shmangur keqpërdorimet për qëllime politike.
“Aktgjykimi rikonfirmoi disa parime për afatet kushtetuese. Jo sepse nuk ishin të qarta më herët, por sepse u tentua që dispozitat kushtetuese të keqpërdoren për arsyetime politike,” tha Cakolli.
Duke folur për çështjen e dekretit, ai theksoi se Gjykata nuk e ka cilësuar si antikushtetues, por si një akt pa efekt juridik, duke u bazuar në logjikën e afateve kushtetuese.
“Gjykata pranon që afati 30-ditor është detyrues dhe ka pasoja, por sqaron se këto pasoja lidhen me afatin 60-ditor dhe shpërndarjen ‘ex constitutione’. Pra, nuk kemi mohim të logjikës së Presidentes, por korrigjim të mënyrës së zbatimit,” u shpreh ai.
Cakolli theksoi se Gjykata ka sqaruar përfundimisht raportin mes afateve 30 dhe 60 ditë, duke i trajtuar ato si një mekanizëm të vetëm.
“Afati 60-ditor zhvillohet në funksion të afatit 30-ditor. Totali është 60 ditë, ku 30 ditët e fundit janë zonë e mbyllur që nuk mund të tejkalohet,” tha ai.
Ai shtoi se Gjykata ka vendosur një standard të qartë sa i përket fillimit të kohës kushtetuese.
“Koha kushtetuese nuk fillon kur Kuvendi vendos të veprojë, por kur është në gjendje të veprojë. Në këtë rast nuk ka 60 ditë të reja, por vetëm kohë të mbetur nga një afat që ka filluar më herët,” theksoi Cakolli.
Në përfundim, ai vlerësoi se vendimi krijon hapësirë për zgjidhje institucionale, por përgjegjësia mbetet te partitë parlamentare.
“Ky është një vendim që balancon situatën dhe blen kohë për institucionet. Përgjegjësia mbetet te institucionet dhe partitë që proceset kushtetuese të zhvillohen në kohë,” përfundoi ai.







