E për ta shtyrë përpara këtë propozim, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borell, ka thënë se së shpejti do të ftojë në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Ky i fundit akoma nuk ka dhënë sinjale se e ka pranuar propozimin franko-gjerman, por ka deklaruar se në Bruksel do të shkojë vetëm pasi të dorëzohet propozimi për themelimin e Asociacionit.
“Nëse mendoni të më ftoni në Bruksel për të më bindur të them që Asociacioni mund bëhet njëkohësisht me diçka tjetër, apo pas diçkaje tjetër, mos më thirrni. Mos më thërrisni të vij si turist sepse nuk më intereson, kam qenë në Bruksel 200 herë. Nëse më thërrisni, më njoftoni se e kanë dorëzuar Asociacionin, kur ta dorëzojnë, atëherë vij e flas për çdo gjë tjetër”, tha Vuçiq.
Ndërsa Ligjëruesja në Universitetin e Amsterdamit, Nevenka Tromp, e konsideron si shumë të arsyeshëm planin franko-gjerman.
Tromp, thotë se është plani më i mirë ndër vite që ka ardhur nga shtetet perëndimore.
“Gjatë viteve të fundit kanë qarkulluar planë të ndryshme për zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë, që kanë rezultuar të pasuksesshme. Deri më tani mund të se them se propozimi franko-gjerman duket më i arsyeshmi, dhe ky plan është nismë e mirë për normalizimin e marrëdhënieve mes palëve. Është e qartë që Perëndimi e ka rritur fokusin në Ballkan, për shkak të luftës në Ukrainë”, tha Tromp.
Edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, thotë se ky është propozimi më i mirë që mund t’i ofrohet palëve në këtë moment.
“Unë dëshiroj të shoh pranimin pa kushte të propozimit evropian nga të dyja palët. Unë besoj thellë se propozimi është më i miri që mund të ofrohet për momentin, është një kompromis i mirë”, deklaroi Von Cramon.
E sa i përket çështjes së Asociacionit, Tromp konsideron se Serbia po kërkon një lloj autonomie për serbët brenda Kosovës.
“Sa i përket asociacionit është e qartë se Serbia po kërkon një lloj autonomie për serbët në Kosovë. Kjo është një marrëveshje me të vërtetë shumë komplekse dhe prandaj Kosova është e shqetësuar. Beogradi synon vazhdimisht të ushtroj kontroll mbi serbët e Kosovës”, shtoi Tromp.
Ndërkaq, Eurodeputetja Cramon, ka kërkuar nga Kosova që t’i respektojë obligimet ndërkombëtare.
“Jam plotësisht e vetëdijshme se sa e ndjeshme është kjo çështje për shoqërinë kosovare. Megjithatë, dua të shoh një përkushtim nga lidershipi politik i Kosovës. Ky është obligim ndërkombëtar dhe kushtetues i Kosovës që duhet të zbatohet. Mënyra më e mirë do të ishte që Kosova të bëhet proaktive dhe të dalë me propozimin e saj në përputhje me Kushtetutën”, tha Von Cramon.
Nga blloku evropian ende nuk kanë treguar një datë se kur do të zhvillohet takimi i radhës mes dy delegacioneve në Bruksel.
Kronika e gazetarit Shpat Blakçori.