Kosova dhe Serbia sot në Bruksel kanë miratuar deklaratën për të zhdukurit.
Drejtori i Qendrës për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj, vlerësoi se pika më e rëndësishme e kësaj marrëveshje është pika e tretë, në të cilën thuhet se do të sigurohet qasje e sigurtë në të dhënat që ndihmojnë në identifikimin e mbetjeve mortore.
Madje sipas tij, termi “persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës”, është kamufluar paksa në këtë deklaratë.
“Nëse s’gaboj janë shfrytëzuar edhe të dhënat satelitore për identifikimin e vendeve të mundshme të varrezave masive. Megjithatë, pika më e rëndësishme në këtë deklaratë është pika e tretë, e cila thotë që duhet të sigurohet qasje e sigurtë në të dhënat që ndihmojnë në identifikimin e mbetjeve mortore. Në fund të kësaj deklarate thuhet se në takimet e radhës do të definohen çështjet tjera më specifike. Tani është vështirë të jepet një vlerësim nëse termi “personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës”, mund t’i implikojnë përgjegjësitë që i ka shteti serb ndaj viktimave, ndaj familjarëve të personave të zhdukur me forcë. Ndoshta ky definim këtu është kamufluar paksa, sepse në fakt thuhet se kjo deklaratë i trajton personat e zhdukur sipas kuptimit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq”, deklaroi Blakaj në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Gjithashtu, Blakaj shtoi se deklarata e përbashkët përmban disa elemente të cilat janë zbatuar edhe në të kaluarën./teve1.info/.