Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka pritur në takim Drejtoreshën Rajonale të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Evropë dhe Azinë Qendrore, Xiaoqing Yu.
Përmes një komunikate, bëhet e ditur se gjatë takimit u diskutua mbi mbarëvajtjen e proceseve të ndryshme, ndër të tjera edhe avancimi drejt integrimit në SEPA.
“Duke vlerësuar bashkëpunimin me Bankën Botërore, zëvendëskryeministri theksoi rëndësinë e mbështetjes për projekte ekzistuese e potenciale e ku kontributi mund të jetë i qenësishëm dhe i rëndësishëm. Ai veçoi Programin e Tregtisë dhe Transportit, i cili parashihet të përmirësojë infrastrukturën dhe procedurat në pikëkalimet kufitare, si dhe të rrisë kapacitetet dhe konkurrueshmërinë e produkteve vendore, me investime në laboratore testuese e më gjerë”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, në takim u diskutua edhe ndërlidhja e Kosovës me rajonin e më gjerë, përfshirë ngritjen e përmirësimit të infrastrukturës si katalizator për më shumë zhvillim e lehtësim të transportit.
Zëvendëskryeministri i falënderoi përfaqësuesit e Bankës Botërore për bisedën, si dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm e të frytshëm./teve1.info/.