Seminari perspektiva e re për trashëgiminë moderne në Evropën Juglindore i cili është i mbështetur nga Getty Foundation, është duke u mbajtur në Kosovë që nga 1 deri 4 korrik të këtij viti, në të cilin ka arkitektë nga e gjithë bota, nga Armenia, Ukraina, India, Australia, Amerika e nga Evropa.
Synimi i këtij seminari, është bartja e dijës dhe promovimi i draftimit të planeve të konservimit dhe menaxhimit jo vetëm në Kosovë por në tërë regjionin.
Drejtori i këtij seminari e festivali, Bekim Ranku ka thënë për KosovaPress-in se në funksion janë edhe tre punëtori për vlerësimin e vlerave të pallatit të rinisë dhe sportit, me ekipin LMNL nga Holanda të cilët po punojnë në oborrin e fondacionit dhe në shtëpinë e Hivzi Sylejmanit për të krijuar një bahçe.
Ndërsa, arkitektja australiane Sheridan Burke, e cila ka bërë planin e konservimit të shtëpisë së operës në Sidney, e cila është në listën e trashëgimisë botërore.
Mesazhi i Burke është që si popull të kujdesemi për Bibliotekën Kombëtare, e cila e vlerëson atë si një thesar të vërtetë në Kosovë.
“Jam këtu për të qenë pjesë e një konferencë që është mbajtur për planifikimin e menaxhimit të ruajtjes për vendet e trashëgimisë moderne dhe gjithashtu për të qenë pjesë e festimeve të arkitekturës së Kosovës… Unë po prezantoj sonte për Shtëpinë e Operës së Sidneit, e cila është një ndërtesë në Sidnei ku jetoj dhe për të cilën kam ndihmuar të kujdesem. Shtëpia e Operës tani është në listën e Trashëgimisë Botërore… Është një lloj simboli i kombit, dhe qendra më e ngarkuar e arteve të shfaqjes në Australi. Pra kemi rreth 8 milionë vizitorë, që është një presion i madh… Më pëlqen kjo bibliotekë. Është thjesht një ndërtesë e jashtëzakonshme. E dini, unë me të vërtetë nuk kam parë diçka të tillë më parë dhe është e mrekullueshme të shohësh mobiliet ende këtu, veprat e integruara të artit, pamja e saj brenda qytetit është e mrekullueshme, keni një thesar të vërtetë këtu, kujdesuni për të”, është shprehur Burke.
Gjithashtu, Vaidas Petrulis nga Lituania, i cili është profesor i asociuar dhe mësimdhënës për arkitekturë, histori dhe trashëgimi kulturore në Universitetin e Teknologjisë në Kaunas, ka shtuar se populli është shumë i rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, prandaj ata duhet të dinë se ku qëndron vlera e tyre.
Përveç seminarit, gjithashtu është duke u mbajtur edhe festivali i arkitekturës në Kino Armata nga ora 18:45.