Pas bastisjeve të fundit në Kosovë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka reaguar Adil Behramaj, ish-këshilltar i ish-presidentit, Hashim Thaçi.
Sipas Behramajt, bastisja e sotme te banesa e ish-këshilltarit të Thaçit, Artan Behrami, është “përpjekje për ta shurdhuar çdo zë kritik”, përcjell teve1.info
“Stafi i zellshëm i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, po provon t’i gjejë arsyet e dështimit të tyre nëpër shtëpitë tona. Dje shkuan te Bashkimi e Blerimi, sot tek Artani. Të gjithë këta, para se të ishin këshilltarë të presidentit, janë njerëz të dëshmuar në jetën publike dhe institucionale të shtetndërtimit të Kosovës, së bashku me bashkësinë ndërkombëtare. Bastisja e sotme tek Artani është vazhdim i gjuetisë kundër fjalës së lirë dhe përpjekje për ta shurdhuar çdo zë kritik. Është vërtet e paprecedent kjo qasje. Është e pabesueshme sesi përndjekja po shihet si drejtësi nga kjo prokurori, e cila as që mërzitet për të drejtat e njeriut!”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij, “kjo sjellje nuk do të duhej të tolerohej as nga ambasadorët e shteteve të Bashkimit Evropian në Kosovë!”.
Zyrtarët policorë të Kosovës janë vendosur mëngjesin e sotëm para banesës së Artan Behramit, teksa Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka konfirmuar nëse është duke kryer bastisje në banesën e tij.
Por, në një përgjigje për Tëvë 1, nga ZPS-ja thonë se janë duke kryer vazhdimisht operacione në Kosovë, mbështetur nga Policia e Kosovës dhe EULEX-i.
Teksa dje, Prokuroria e Gjykatës Speciale me seli në Hagë ka kryer bastisje në banesën e dy ish-këshilltarëve të ish-presidentit Thaçi, Blerim Shalës dhe Bashkim Smakajt. /Teve1.info/