Kundër vendimit të Themelores, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur ankesë për shkak të shkeljes së dispozitave esenciale ligjore si dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, duke kërkuar që aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi“.
I akuzuari Bedri Krasniqi tha se tash e 20 vjet është në burg dhe se asnjë masë lehtësuese ndaj tij nuk është marrë asnjëherë.
“Dje i kam bo 20 vjet që jam ra në burg. Dhe për 20 vjet, kurrë një masë lehtësuese në drejtim temin nuk është marrë. Akuzat kurrë nuk m’u kanë nda që 20 vjet, kurrë hiç, kurrë pa akuza s’kam mbet”, tha Krasniqi.
Ai tha se është i shqetësuar me ankesën e Prokurorisë për të kthyer rastin në rigjykim, duke shtuar se “Prokuroria nuk po heq dorë prej akuzave”.
“Unë propozoj qysh kam propozu në rastin në shkallë të parë, kjo vepër s’ka ndodh kurrë i nderum gjyqtar, por sido që të vendosni ju unë e pranoj se nuk kam më motiv i nderum gjyqtar me u shty për këtë vepër se është shku kohë shumë e gjatë”, tha ai.
Kolegji i Apelit përbëhej nga Avdullah Ahmeti- kryetar, Anita Krasniqi-Prenaj gjyqtare referuese dhe Mehmet Ndrecaj- anëtar.
Ndryshe, Krasniqi më 13 shtator 2023 ishte liruar nga Themelorja për vrasjen rëndë ndaj dy zyrtarëve të UNMIK. Vendim i cili për pjesën e tij i ishte konfirmuar edhe nga Apeli.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 31 tetor 2019, më 18 prill 2019 në rrugën prej Burgut të Sigurisë së Lartë në Gërdoc të Podujevës, në drejtim të Prishtinës, tani i akuzuari Bedri Krasniqi me qëllim të frikësimit apo shkaktimit të ankthit, e ka kanosur me fjalë të dëmtuarin Shkumbin Mehmeti gjatë transportimit të tij për në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali.
Tutje, në aktakuzë thuhet se pasi janë vendosur të dy në të njëjtin mjet transporti gjatë rrugës, i akuzuari Krasniqi ka komunikuar me të dëmtuarin Mehmeti para hyrjes në automjet dhe gjatë trasnportimit, duke e kanosur këtë të fundit me fjalët “qysh e ki famijen, e di se familjen e ki në Francë dhe se djali yt i ka bërë katër vite, po ashtu edhe vëllezrit tuaj punojnë me disa kabllo internet”, duke i bërë me dije të dëmtuarit për mundësinë e arritjes së qëllimeve ndaj tyre.
Në vazhdim sipas aktakuzës, i akuzuari ka thënë “Është më mirë të kujdesesh për familjen tënde, e mos të meresh me punë tjera”, duke aluduar në mosdëshmimin e tij ndaj të akuzuarit në çështjen penale të vrasjes së rëndë dhe thuhet se me këto fjalë i akuzuari e ka shqetësuar seriozisht të dëmtuarin se do ta privojë nga jeta ose që do t’i shkaktojë lëndim të rëndë trupor ndonjë anëtari të familjes.
Me këtë, Krasniqi akuzohej se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, par.2 të Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me gjobë ose me dënim deri në një vit.







