Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës të hënën kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës, në shenjë pakënaqësie për mospagesën e pagave dhe mos-ekzekutimin e buxhetit të RTK-së nga institucionet përgjegjëse shtetërore.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka shprehur mbështetjen e plotë për përfaqësuesit e punëtorëve dhe anëtarët e Bordit të RTK-së, duke theksuar nevojën për veprim të shpejtë nga institucionet për zgjidhjen e situatës.
Sipas tij, gjithçka që kërkohet është që Kuvendi të mblidhet dhe të miratojë komisionet parlamentare, në veçanti Komisionin për Buxhet, në mënyrë që të mund të miratohet raporti dhe të ekzekutohen mjetet për pagat e punëtorëve dhe funksionalizimin e RTK-së.
“Brenda ditës ne mund të mblidhemi t’i themelojmë ose t’i miratojmë komisionet parlamentare, në këtë rast vetëm Komisionin për Buxhet, të miratohet raporti dhe brenda ditës ekzekutohen mjetet për pagat e punëtorëve dhe funksionalizimin e RTK-së në përgjithësi. Sa për informacionin tuaj, RTK-ja ka mbështetjen time të plotë. Këtë ia kam thënë edhe Bordit të RTK-së, si dhe sindikatës që kam takuar. Kam marrë mbështetje edhe nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga subjektet tjera jo-shumicë dhe jo-serbe. Prandaj, mendoj se duhet që edhe subjektet tjera të bëhemi bashkë, të miratojmë raportin, të formojmë komisionin dhe të ecim përpara, sepse pajtohem që është e padrejtë që ka shumë familje që presin dhe kanë shumë obligime,” ka thënë Basha.
Kërkesa e protestuesve është që institucionet e Kosovës të marrin masa të menjëhershme për të garantuar financimin dhe pagesat e punëtorëve, duke ruajtur kështu funksionimin e transmetuesit publik dhe të drejtën e qytetarëve për informim të pavarur./teve1.info/







