Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se Minsitria e Financave nuk ka të drejtë të falë borxhin për tatimpagues në vlerë prej 100 eurove, raporton teve1.info
Sipas një shkrese të Ministrisë së Financave, të publikuar nga Bajrami, ligji aktual nuk e autorizon komunën për faljen e pagesës së tatimit në pronë.
“MINISTRIA DEMANTON MINISTRIN DHE E BËN CC:
Komunat nuk kanë të drejtë të falin tatime – propozimin e Muratit e hedhë poshtë ministria e tij. Çdo ditë po e dëshmojnë se janë Qeveri praktikantësh.
Shihni shkresën e Ministrisë së Financave drejtuar një kryetari të komunës”, ka shkruar ndër të tjera Bajrami.
Shkresa e publikuar nga Bajrami:
I nderuar Kryetar z….
Departamenti Ligjor i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve ju drejtohet me ketë shkresë konform kërkesës tuaj në lidhje me mundësinë e faljes së tatimit në pronë në komunën tuaj nga Kuvendi Komunal deri ne vlerën 100 Euro.
Pas shqyrtimit te kujdesshëm të dispozitave të Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme (në tekstin e mëtemë: LTPP), ju informojmë se legjislacioni aktual nuk autorizon komunën për falje të pagesës së tatimit në pronë.
Në kapitullin e VI të LTPP-së evidentohet se pagesa e tatimit në pronë është e detyrueshme. Më tej, ky kapitull përmban edhe autorizime për shtyrje të pagesës por jo edhe të faljes. Andaj, vlerësojmë se për një falje të tillë , duhet një akt juridik që ka fuqinë juridike të ligjit. Për qëllime ilustrimit, një situatë e ngjashme ishte adresuar përmes miratimit të Ligjit Nr. 05/L-043 për Faljen e Borxheve Publike, ku u miratua një ligj i cili ka autorizuar shprehimisht faljen e borxhit.
Megjithatë, ju informojmë se në programin legjislativ të vitit 2023 është paraparë ndryshim/plotësimi LTPP-së, ju me ç’rast situatat e tilla mund të adresohen përmes ndryshimit dhe plotësimit të ligjit aktual.