Avokati i Popullit ka vlerësuar se kriteret e vendosura nga Qeveria për pagën e 13-të kanë cenuar pritshmërinë legjitime dhe sigurinë juridike të punonjësve që paguhen nga Buxheti i Kosovës.
Në opinionin e publikuar të enjten, ky institucion ka analizuar Vendimin nr. 02/07 të Qeverisë dhe efektet që ka prodhuar zbatimi i tij.
Një nga çështjet kryesore të ngritura lidhet me kriterin që punonjësi të ishte në listën e pagave të muajit mars 2026 për të përfituar këtë pagesë.
Sipas vendimit të Qeverisë, paga e 13-të u takonte punonjësve me pagë primare të përfshirë në listën e marsit. Për punonjësit me orar të plotë kërkohej gjithashtu angazhim gjatë 12 muajve të fundit në një organizatë buxhetore.
Pikërisht ky përcaktim kishte lënë jashtë disa persona që kishin punuar në sektorin publik, por marrëdhënia e tyre e punës kishte përfunduar para marsit.
Avokati i Popullit kishte pranuar ankesa, ndër të tjera, nga një mjek specializant që kishte punuar në SHSKUK deri më 31 janar 2026, ish-anëtarë të kuvendeve komunale dhe ish-punonjës të një kabineti ministror.
Në mesin e ankuesve ishte edhe një ish-punonjës i Komunës së Prishtinës, marrëdhënia e punës e të cilit kishte përfunduar më 7 shkurt 2026 për shkak të pensionimit. Për shkak se nuk ishte në listën e pagave të marsit, ai nuk kishte përfituar pagën e 13-të.
Ankuesit pretenduan se vendimi i Qeverisë i kishte diskriminuar dhe trajtuar në mënyrë të pabarabartë krahasuar me punonjësit e tjerë të sektorit publik.
Avokati i Popullit i ishte drejtuar Ministrisë së Financave më 29 maj, duke kërkuar sqarime se pse pikërisht muaji mars ishte caktuar si periudhë përcaktuese për përfitimin e pagës së 13-të.
Ministria ishte përgjigjur se Ligji për Ndarjet Buxhetore për vitin 2026 e autorizonte Qeverinë të përcaktonte kushte dhe kritere shtesë. Sipas saj, përfitimi lidhej drejtpërdrejt me përfshirjen e punonjësit në listën zyrtare të pagave për muajin mars 2026.
Megjithatë, Avokati i Popullit ka ardhur në përfundimin se kriteret administrative të vendosura për zbatimin e një norme juridike nuk mund t’i zvogëlojnë të drejtat e përcaktuara shprehimisht me ligj.
Sipas opinionit, përcaktimi i pagës së 13-të në Ligjin për Ndarjet Buxhetore krijon pritshmëri legjitime për realizimin e saj si e drejtë me karakter pasuror.
“Vendimet dhe kriteret administrative, të cilat nxirren për ta jetësuar një normë juridike, nuk mund t’i zvogëlojnë të drejtat të cilat janë të përcaktuara shprehimisht me ligj”, thuhet në opinion.
Avokati i Popullit konsideron se një veprim i tillë, siç ka ndodhur me Vendimin 02/07, cenon pritshmërinë legjitime dhe sigurinë juridike të punonjësve.
Institucioni kërkon që rregullimi i pagës së 13-të të sigurojë barazi mes përfituesve, përmes kritereve të qarta dhe të arsyeshme ligjore.
Po ashtu, Avokati i Popullit vlerëson se opinioni duhet t’i shërbejë Qeverisë dhe Kuvendit si udhëzim që, në vendimet e ardhshme për pagën e 13-të, të sigurohet gjithëpërfshirja dhe trajtimi i barabartë i të gjithë punonjësve që plotësojnë kushtet ligjore.








