Ish-diplomati Tomorr Avdia thotë se deklarata e sotme e ambasadorit amerikan për situatën në veri, është deklaratë diplomatike.
Sipas tij, deklarimet e njëpasnjëshme të qeverisë amerikane dhe të DASH-it, e “kanë një kundërpeshë për të ruajtur balancin”.
Njohësi i proceseve politike vlerëson se disa shtete perëndimore mund të jenë bashkëfajtore për gjendjen që ka ekzistuar në veri.
“Shumë nga këta aktoët e Bashkësisë ndërkombëtare kanë qenë fajtor që të mos shtrihet kjo lloj legjitimeti në atë pjesë të territorit tonë. Pra edhe në këtë rast jo SHBA, por disa shtete perëndimore mund të jenë bashkëfajtor për gjendjen që ka ekzistuar atje, pasi nëpër ato komuna, në zyrat komunale…ka njerëz që janë aktorë të krimit, të korrupsonit të shpallur non-grata nga SHBA, dhe kanë kryer gjatë këtyre 20 viteve vetëm dhunë, terror, krime ndaj popullsisë së tyre, bashkëkombësve të tyre serbë, dhe pakicave të tjera. Dhe në këtë rast, kjo duhet të jetë një ditë edhe e çlirimit të atyre, të asaj zone, të atyre qytetarëve nga ato grupe kriminale dhe bandite”, deklaroi ai në “Info Nata” në Tëvë 1.
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka thënë se masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë. Ai po ashtu ka deklaruar se SHBA-ja dënon “veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës”.
Ndërsa nga Departamenti Amerikan i Shtetit kanë deklaruar se veprimet në veri do kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën.
Situata në veri është tensionuar që nga mesdita e sotme, si shenjë pakënaqësie nga serbët lokal pas betimit që kanë bërë dje kryetarët e komunave në Leposaviq, Zubin Potok, dhe Zveçan./Teve1.info/