Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka urdhëruar ndalimin e përkohshëm të prodhimit të produktit “Pleskavicë Buquku 0.5 kg”, pasi analizat laboratorike kanë konstatuar nivele të bakterit Escherichia coli (E. coli) mbi pragun e lejuar.
Sipas njoftimit të AUV-së, produkti është prodhuar nga kompania “Buquku” në Pejë, me numër aprovues RKS-144 dhe datë prodhimi 12 nëntor 2026.
Agjencia ka bërë të ditur se mostrat e analizuara nuk i kanë përmbushur kriteret mikrobiologjike të përcaktuara për higjienën e procesit të prodhimit.
Pas këtyre rezultateve, inspektorët kanë urdhëruar ndalimin e përkohshëm të prodhimit të këtij produkti, si dhe tërheqjen nga tregu të sasive të mbetura.
Ndërkohë, kompania është obliguar të identifikojë burimin e kontaminimit, të dokumentojë gjurmueshmërinë e produktit dhe të ndërmarrë masa për përmirësimin e kushteve higjienike gjatë prodhimit, kontrollin e lëndës së parë dhe funksionimin e sistemit të vetëkontrollit HACCP.
Sipas AUV-së, prodhimi nuk do të lejohet të rifillojë pa u eliminuar mangësitë e konstatuara, pa u konfirmuar përmes analizave laboratorike përmbushja e kritereve mikrobiologjike dhe pa u verifikuar sërish kushtet e prodhimit nga inspektorët e Agjencisë.







