Kryeministri australian, Anthony Albanese, i ka bërë thirrje SHBA-së të ulë tensionet në luftën me Iranin, pas humbjeve të Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, transmeton Anadolu.
Siç raporton Korporata Australiane e Transmetimeve (ABC), Albanese i cilësoi rezultatet e zgjedhjeve si “shumë domethënëse” dhe tha se ato ishin një nga temat kryesore të diskutimit mes liderëve në Takimin e Kryetarëve të Qeverive të Komonuelthit (CHOGM).
Demokratët fituan kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së dhe siguruan shumicën e guvernatorëve në vend në zgjedhjet e mesmandatit të së martës.
“Pavarësisht nëse bëhet fjalë për inflacionin në ekonominë globale apo për nevojën e krijimit të kushteve për tregti të lirë, çdo shtet (në CHOGM) dëshiron të shohë përfundimin e luftës dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit”, tha ai.
Duke e lidhur luftën me Iranin me krizën e kostos së jetesës në Australi, Albanese tha se do të vazhdojë t’i bëjë thirrje Washingtonit për “uljen e tensioneve”.
Megjithatë, ai argumentoi se nuk kishte nevojë të ndiqte një qasje më të ashpër ndaj presidentit amerikan, Donald Trump.
“Unë ia kam thënë publikisht dhe drejtpërdrejt (z. Trump) se ka ardhur koha për uljen e tensioneve”, tha Albanese, duke shtuar se australianët mund të presin që ai të vazhdojë të veprojë përmes diplomacisë në interes të vendit.
SHBA dhe Izraeli nisën një ofensivë ushtarake kundër Iranit më 28 shkurt. Në prill u arrit një armëpushim, ndërsa në qershor u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi në kuadër të përpjekjeve për
arritjen e një marrëveshjeje paqeje. Megjithatë, këto përpjekje nuk dhanë rezultat dhe konflikti ende nuk është zgjidhur.








