Ka rreth 11 muaj që aneksi i ri i Klinikës së Ortopedisë në Qendrën Klinike Univeristare të Kosovës është hapur.
E ky objekt u vu në funksion pas një procesi të gjatë ndërtimi.
Sipas Auditorit të Kosovës, shpenzimet kanë arritur mbi 2.57 milionë euro, ndërsa një pjesë e hapësirave nuk po shfrytëzohen sipas destinimit fillestar.
“Gjatë ekzaminimit kemi vërejtur se dy dhoma të destinuara për pacientë ishin duke u përdorur si dhoma për ofrimin e shërbimeve shëndetësore, dhe jo për qëllimin fillestar të tyre. Gjithashtu, një pjesë e objektit e planifikuar për vendosjen e makinerive, e cila ndodhet si pjesë shtesë mbi katin e dytë të ndërtesës, nuk është shfrytëzuar për qëllimin e paraparë. Aktualisht, objekti i destinuar për vendosjen e këtyre pajisjeve është duke u shfrytëzuar për zhvillimin e takimeve të kolegjiumeve apo të stafit të Klinikës”.
Gjithashtu sipas Auditorit të përgjithshëm të Kosovës, projekti ka tejkaluar buxhetin fillestar mbi 16%, sesa ishte paraparë.
“Pagesat totale për kompaninë punëkryese nga viti 2019-2025 kanë arritur vlerën në 2,57 milion euro, duke e tejkaluar çmimin e kontraktuar për 16,836 euro. Pra kosto totale e projektit nga 2.21 milion sa është menduar se do të jetë, është rritur në 2.57 milion që përbën një rritje në kosto mbi 16% krahasuar me kontratën fillestare”.
Pavarësisht vonesave e problemeve të tjera, njohësi i Shëndetësisë, Bujar Vitija thotë se ndërtimi i ri ishte i domosdoshëm për të përmirësuar kushtet e Klinikës së mëparshme.
“Është e vërtetë që ndërtimi për aneksin e Klinikës së Ortopedisë ka pas shumë problem. Fillimisht ky projekt është stërzgjatur, është stërvonuar, edhe kur kanë përfundu pothuajse punimet, pra edhe kur është vu në funksion të pacientëve, ky objekt është lëshu pa u përfundu gjitha punët, pa u marrë leja sanitare pa u marrë pranimi teknik pra ka pasë shumë probleme edhe pse është vu në funksion. Megjithatë ka qenë e domosdoshme për shkak që problemet e mëdha që kanë qenë në objektin e vjetër”, deklaroi Vitija.
Vitija gjithashtu thekson mungesën e transparencës dhe komunikimit me publikun gjatë gjithë procesit të ndërtimit.
“Ka plot projekte, investime kapitale sidomos në infrastrukturë të cilat SHSKUK e tejkalon buxhetin e paraparë ose të planifikum, ka shumë projekte të cilat përveç tenderit ose kontratës që jepet në fillim, më pas jepet edhe aneks kontrata për punime shtesë, për punime të ndryshime, të cilat quhen punime të paparashikuara. Konsideroj që SHSKUK nuk ka qenë mjaft transparente sa i përket objektit të Ortopedisë, se ajo ka pasë shumë probleme dhe ata nuk janë përgjigj interesimit të medieve por edhe aktorëve tjerë sa i përket parregullsive që kanë ndodhë në këtë projekt”.
Gjatë kësaj jave, televizioni ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e kronikës.
Klinika e Ortopedisë ishte përuar më 3 tetor të vitit 2024, ku ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ishte shprehur i bindur se do të ketë zvogëlimin e listave të pritjes së pacientëve, problem ky i kahmotshëm i Ortopedisë.
Kronikë e realizuar nga gazetarja, Jona Kelmendi.