Në orën 12:00 thirrën konferencë për media.
Kështu, organizatorët e fushatës “Asnjë cent më shumë”, edhe këtë të premte paralajmëruan protestën e radhës.
Në këtë takim nuk munguan as thirrjet për qytetarët që të jenë pjese ë protestës kundër shtrenjtimi të çmimit të energjisë elektrike.
Besnik Shabiu, që është edhe organizator i protestës thotë që ata nuk do ndalen deri në realizimin e kërkesave të tyre.
“Do të vazhdojmë të jemi edhe më tutje të zëshëm, deri në momentet e fundit kur bashkë me qytetarët do të fitojmë këtë proces. Ashtu siç e kemi paralajmëruar nesër do të jetë protesta e radhës e cila do të filloj nga ora 12:00. Zëri i qytetarëve është mirë që mos me u ndal në asnjë moment. E kemi shumë të rëndësishëm të vazhdojmë bashkë se ashtu qysh e kemi nis ashtu kemi me përfundua”, tha ai.
Ai tha se nga sheshi i Prishtinës do të bëjnë thirrje ZRRE të pezulloj vendimin e marrë me 11 prill.
“Nesër në të njëjtën kohë është të njëjtën kohë, ka qëlluar të jetë edhe seanca konstituive, e cila po dështon tash e disa herë. Natyrisht, prej këtij sheshi do t’i bëjmë thirrje gjithë deputetëve të Republikës së Kosovës që të shtynë përpara këtë proces, dhe momentin e parë që konstituohet Kuvendi, të thirret menjëherë në Komisionin për energji, ZRRE-ja për raportim, dhe sa më parë ky vendim të pezullohet”, tha Shabiu.
Shabiu tregoi edhe për hapat e mëtutjeshëm që do ndërmarrin në qoftë se nuk përfillet kërkesa e tyre.
“Një prej alternativave që kemi paraqitur është edhe paralizimi i aktiviteteve nëpër institucione, bllokimi i shesheve dhe rrugëve. Përveç kësaj, kemi nisur edhe një iniciativë, të cilën, nëse ka nevojë, sërish do ta aktualizojmë, pjesa e pezullimit të pagesave për çmimin e energjisë elektrike për qytetarët”, tha ai.
E padi për vendimin që mori Zyra e Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e çmimit të rrymës është duke përgatitur avokati Ardian Bajraktari.
“Ne po presim publikimin e vendimit, i cili do të duhej të ndodhte, por akoma nuk është bërë. Sot jam drejtuar me kërkesë zyrtare përmes emailit zyrtar ZRRE-së, që ta kemi sa më parë këtë vendim, në mënyrë që ta analizojmë dhe ta procedojmë, përkatësisht ta finalizojmë padinë. Krahas padisë, po punojmë edhe në hartimin e propozimit për masë të përkohshme, si masë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, për faktin se jemi të bindur që plotësohen kriteret ligjore të përcaktuara në nenin 100 të ligjit për konflikt administrativ. Për faktin se një vendim i tillë paraqet dëme vështirë të riparueshme për palët në procedurë, përkatësisht për qytetarët”, deklaroi Bajraktari.
Të shtunën në ora 12:00 pritet të mbahet protesta e radhës.