Në këtë formë u detyrua të zbresë nga kati i pestë.
Kjo pasi ashensori në këtë ndërtesë, në lagjen “Dardania” në Prishtinë, ka mbetur jashtë funksionit.
Me këtë problem, këta banorë po përballen që nga e enjtja e javës së kaluar.
“Është shumë e vështirë për ne banorët sidomos për neve që jemi me fëmijë, me karroca, por edhe për të moshuarit. Është e pamundshme të funksionojmë nëpër përditshmëritë tona me angazhimet të cilat i kemi… Çdo ditë, ndodh ndoshta dy herë në ditë për shkak se ne kemi edhe fëmijë të tjerë të cilët i kemi në çerdhe që duhet të shkojmë t’i marrim”, shprehet Brika Kllokoqi –Rama, banore.
E kjo nënë po detyrohet që të ngjitet deri në katin e 12-të, me fëmijët në krahë.
Mungesa e ashensorit po shkakton problem të madh edhe për personat me vështirësi në lëvizje.
“Për neve është shumë e vështirë, hajde edhe për mu disi e tejkaloj, po ka njerëz të moshuar këtu, ka njerëz të paralizuar, ka njerëz që kërkojnë për çdo ditë ndihmën e mjekut. Për ata është e vështirë, për atë familje është e vështirë… Unë mendova me e bo një renovim të banesës, besom që më kanë mbetur krejt pajisjet se s’mundem me i çu në krah”, thotë Sefer Krasniqi.
Problemet me liftin në këtë ndërtesë, sipas banorëve, nuk janë të rralla.
“Këso me afat gjatë nuk ka pas, nuk ka pas problem. Probleme ka si zakonisht, mundet me qenë një orë, dy orë, eventualisht një ditë, por jo si tash. Tash e ka marrë Ndërmarrja Publike Banesore, jemi parapagues të rregullt, jena”, shprehet ai.
Në një përgjigje me shkrim për televizionin,nga Ndërmarrja Publike Banesore deklaruan se ekipet përgjegjëse janë duke u marrë me këtë problem.
Megjithatë, theksuan edhe disa nga problemet e brendshme me të cilat janë duke u përballur, e të cilat mund t’i kenë shkaktuar vonesat në trajtimin e këtij problemi.
“Dëshirojmë të sqarojmë se punëtorët kanë organizuar protesta lidhur me pakënaqësitë e tyre për çështjen e ekzekutimit të pagave. Punëtorët kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me çështjen e pagave dhe aktualisht jemi në pritje të vendimit përfundimtar të Gjykatës Supreme, pasiqë aktualisht llogaritë e NPB SHA, janë të bllokuara në kuadër të procedurës përmbarimore që lidhet me kontestin gjyqësor për projektin në Lakrishtë, bazuar në një kontratë të lidhur më 17 maj 2021 nga administrata e kaluar. NPB SHA është e përkushtuar që, pavarësisht rrethanave të krijuara, të vazhdojë ofrimin e shërbimeve dhe trajtimin e ankesave të banorëve në përputhje me mundësitë, përgjegjësitë dhe procedurat në fuqi”, thuhet nga ndërmarrja.
Punëtorët e NPB-së e nisën protestën nga e hëna e kësaj jave, për shkak se pagat nuk u janë ekzekutuar prej dy muajve.






