Përmirësimi i sigurisë në Kosovë duhet të krijojë hapësirë për ripërtëritjen e progresit politik, forcimin e institucioneve demokratike dhe rritjen e besimit ndërmjet komuniteteve, përfunduan parlamentarët e NATO-s pas një misioni faktmbledhës në Prishtinë, më 28–29 tetor, njoftoi Asambleja Parlamentare e NATO-s.
Por, ndonëse mjedisi i sigurisë është përmirësuar, Asambleja thekson se “tensionet e vazhdueshme dhe kërcënimet hibride vazhdojnë të paraqesin sfida për stabilitetin afatgjatë”.
“Anëtarët e Komitetit Politik të Asamblesë Parlamentare të NATO-s shqyrtuan synimin e Kosovës për ta thelluar integrimin euroatlantik dhe për të kontribuar më shumë në sigurinë rajonale dhe atë të Aleatëve. Kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të lartë paraqitën prioritetet strategjike të Kosovës, përfshirë rritjen e investimeve në mbrojtje, prokurimin dhe rekrutimin, si dhe përpjekjet për forcimin e trajnimit dhe ndërveprueshmërisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) me forcat aleate. Liderët e Kosovës ritheksuan se anëtarësimi në NATO mbetet një prioritet strategjik dhe vunë në pah mbështetjen e vazhdueshme politike dhe praktike të vendit për Ukrainën. Diskutimet gjatë gjithë misionit faktmbledhës theksuan gjithashtu konsensusin e fortë në të gjithë spektrin politik dhe shoqërinë e Kosovës në mbështetje të anëtarësimit në NATO dhe bashkëpunimit të ngushtë me Aleancën”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Asambleja Parlamentare e NATO-s.
Delegacioni i NATO-s që ishte me mision faktmbledhës në Kosovë, u tha se ka shqyrtuar zhvillimet në mjedisin e sigurisë dhe se Aleanca ka nisur optimizimin gradual të pozicionimit të misionit paqeruajtës, NATO.
“Delegacioni shqyrtoi zhvillimet në mjedisin e sigurisë dhe rolin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, përfshirë gjatë një vizite në Shtabin e KFOR-it. KFOR-i vazhdon të luajë një rol thelbësor në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë, si dhe të lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet. NATO-ja ka nisur një optimizim gradual të pozicionimit të KFOR-it, të bazuar në kushtet në terren, në dritën e përmirësimit të situatës së sigurisë, duke ruajtur njëkohësisht aftësinë për ta përshtatur praninë e saj në rast se kushtet përkeqësohen”, thuhet në komunikatë.
Por, Asambleja Parlamentare e NATO-s tha se progresi në fushën e sigurisë dhe ai politik duhet të ecin së bashku.
“Në të njëjtën kohë, diskutimet gjatë gjithë misionit faktmbledhës nënvizuan se përparimi në fushën e sigurisë dhe ai politik duhet të ecin përpara së bashku. Dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i lehtësuar nga BE-ja, mbetet thelbësor për stabilitetin e qëndrueshëm rajonal. Përparimi në normalizim dhe zbatimi i zotimeve ekzistuese do të jenë kyç në të ardhmen e parashikueshme”, thuhet në komunikatë.
Asamblja Parlamentare e NATO-s tha se “Kosova tani ka një mundësi për të çuar përpara reformat politike, për t’i forcuar institucionet demokratike dhe për t’iu afruar aspiratave të saj euroatlantike”.
“Diskutimet gjatë misionit faktmbledhës nxorën në pah prioritetet, përfshirë forcimin e sundimit të ligjit, mbikëqyrjen parlamentare dhe llogaridhënien institucionale, si dhe rritjen e besimit te komunitetet joshumicë përmes mbrojtjes efektive të të drejtave gjuhësore dhe pronësore, pjesëmarrjes politike dhe qasjes në shërbimet publike”, thuhet në komunikatë.
“Delegacioni i Nënkomitetit për Marrëdhëniet Transatlantike (PCTR) dhe Nënkomitetit për Partneritetet e NATO-s (PCNP) vizitoi Prishtinën më 28–29 tetor. Përveç kryeministrit Kurti, anëtarët u takuan me ministra kyç, udhëheqës parlamentarë nga partitë e shumicës dhe të pakicës, përfaqësues të komuniteteve joshumicë, zyrtarë të KFOR-it, UNMIK-ut dhe EULEX-it, si dhe ekspertë të pavarur dhe përfaqësues të shoqërisë civile”, përfundon komunikata e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.




