Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas kosovar, i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Luksemburgut.
Sipas njoftimit të Policisë, arrestimi është kryer më 30 tetor, rreth orës 16:30, nga njësitet e Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet e tjera policore dhe institucionet përkatëse.
I arrestuari me inicialet D.A. kërkohej përmes INTERPOL-it për veprën penale të “Vjedhjes”, e cila është e sanksionuar me Kodin Penal të Luksemburgut.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa ndaj tij do të vazhdojnë procedurat e mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për parandalimin dhe luftimin e aktiviteteve kriminale, si dhe për kapjen e personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.








