Dy persona janë arrestuar në fshatin Isniq të Deçanit, nën dyshimin për kultivim të bimëve narkotike dhe posedim të paautorizuar të narkotikëve.
Sipas njoftimit të përbashkët të Prokurorisë Themelore në Pejë dhe Policisë së Kosovës operacioni është zhvilluar mëngjesin e së hënës nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësiti Antidrogë në Pejë, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë.
Gjatë kontrollit, sipas Policisë së Kosovës, janë sekuestruar 7 bimë narkotike të kultivuara, 28.6 gramë substancë narkotike të llojit marihuanë, si dhe pajisje të tjera që dyshohet se janë përdorur për përpunimin e substancave narkotike.
“Si rezultat i këtij operacioni, janë arrestuar dy persona, të dyshuar për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”.
Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se mbetet e angazhuar në parandalimin dhe luftimin e veprimtarive të kundërligjshme që lidhen me narkotikët, me qëllim të mbrojtjes së sigurisë së qytetarëve dhe interesit publik.







