Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona në një operacion të zhvilluar në Prishtinë dhe Mitrovicë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
Sipas policisë të arrestuarit kanë përdorur kartelat bankare të shtetasëve të ndryshëm pa autorizim.
“Të dyshuarit, në bashkëveprim me njëri-tjetrin dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, kanë përdorur kartelat bankare e shtetasve të ndryshë pa autorizim, duke bërë transaksione si dhe blerje të gjësendeve të ndryshme ( përmes platformave Online). Të dyshuarit fillimisht përmes formave të ndryshme kanë arritur të sigurojnë të dhëna elektronike të kartelave bankare, duke përdorur pajisje dhe programe specifike kompjuterike kanë bërë edhe klonimin e kartelave bankare dhe pastaj të njëjtat i kanë përdorur për shërbime të ndryshme, kryesisht Online dhe fizike”, thuhet nga policia.
Policia ka bërë të ditur se gjatë këtij operacioni policor në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: dy kompjuterë, rreth 10,000.00 (dhjetëmijë) euro në valuta të ndryshme, tetë telefona mobilë, tri vetura, një motoçikletë,pajisje për klonim të kartelave bankare, kartela të zbrazëta për qëllim të klonimit, si dhe dokumente relevante që ndërlidhen me veprën penale.
Me vendim të prokurorit kompetent tre nga personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje, përderisa njëri është liruar në procedurë të rregullt.