Analisti, Ardian Arifaj ka thënë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës krijimin e draftit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, po e shohin si garanci se shteti i Kosovës po përkujdeset për komunitetin serb.
I ftuar në emisionin “Info Nata”, Arifaj theksoi se Asociacioni si proces nuk mund të bëhet brenda një kohe të shkurtër.
“Vitin e kaluar hapat që i ka marrë Kosova ka leju që Serbia me interpretu si një fushatë që e ka cenu popullatën serbe, qytetarët serb ne Kosovë e sidomos në veri edhe kjo ka nxitë reagimin edhe të Bashkimit Evropian përshirë edhe të amerikanëve. Prandaj ata po kanë nevojë të shohin një vendim rreth asociacionit si një garanci, që megjithatë shteti i Kosovës kujdeset edhe për serbët e Kosovës. Është një detaj shumë i rëndësishëm aty po kërkohet që të fillohet të flitet, nuk po kërkohet që të bëhet Asociacioni menjëher. Edhe po të dojë dikush nuk mundet Asociacioni të bëhet nesër, është një proces… “, tha ai.
Tutje Arifi sa i përket hapave të krijimit të Asociacionit, tha se fillimisht draft statuti duhet të përgatitet nga ekipi menaxhues e pastaj të shkojë në Kushtetuese për të marrë edhe njëherë miratim.
Por që sipas tij, ajo çka po kërkohet nga Kosova është të shihet se sa e përkushtuar është që ti respektoj obligimet e veta ndërkombëtare.
“Të bëhet i bjen të fillohet të flitet të përgatitet draft statuti, të shkojë në Gjykatën Kushtetuese me kalu edhe njëherë, më marrë edhe njëherë miratimin e Gjykatës Kushtetuese. Në fakt statutin duhet me e pëgratitë ekipi menaxhues i ashtuquajtur i cili përbëhet nga përfaqësues të komunitetit serb, prandaj këto janë vetëm drafte, sepse është një grup tjetër që e përcakton vet statutin e asociacionit. Pra ka shumë hapa aty dhe që nuk munden me u kriju për një ditë, ajo është shumë e saktë gjithkush e kupton atë, prandaj vetëm kërkohet me u pa që po pala kosovare është njësoj e përkushtuar që ti respektoj obligimet e veta ndërkombëtare, që ti qëndroj prapa zotimeve të veta sidomos karshi aletaëve të saj edhe që vërtetë krijon kushte për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, shtoi ai.
Ndryshe, sot Ambasada amerikane do të jetë nikoqire e takimit në diskutimin për Asociacionin me shumicë serbe. Të ftuar të ambasadorit amerikan Jeff Hovenier janë përfaqësues të Ekzekutivit, partive politike, organizatave jo qeveritare e medieve./teve1.info./