Ambasada e Republikës së Kosovës në Hagë ka publikuar një video të veçantë në shënim të 15-vjetorit të vendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), që konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk përbënte shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Përmes një postimi në Facebook, ambasada ka theksuar rëndësinë e vazhdueshme të këtij vendimi historik, duke e cilësuar atë si një moment me peshë të madhe ligjore, politike dhe diplomatike, i cili ende ndikon në diskursin ndërkombëtar.
“Në këtë përvjetor historik, me krenari paraqesim një video dokumentar që reflekton mbi Opinionin Këshillimor të vitit 2010 të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Dokumentari sjell rrëfime dhe reflektime nga diplomatë, juristë ndërkombëtarë dhe akademikë, të cilët ndajnë pikëpamjet e tyre për ndikimin që ky opinion ka pasur në të drejtën ndërkombëtare moderne dhe në afirmimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.