Mbi 25 liderë botërorë u mblodhën në Berlin në kuadër të takimit të Koalicionit të Vullnetshmwve, të bashkëorganizuar nga udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe, për të diskutuar mbështetjen ndaj Ukrainës, ndërsa vendi përgatitet të përballet me dimrin e pestë që nga fillimi i luftës.
Në takim morën pjesë gjithashtu drejtuesit e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe të dërguarit amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff.
Takimi u zhvillua pak pas bisedimeve të paprecedenta trepalëshe në Kinë, ku morën pjesë presidenti amerikan Donald Trump, presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping.
Putin tha më vonë se, përmes kanaleve diplomatike, kishte ftuar liderët evropianë në Moskë.
Megjithatë, ai përsëriti kërkesat kryesore të Rusisë, duke përjashtuar çdo mundësi për lidhje ushtarake mes Ukrainës dhe Evropës si pjesë e një marrëveshjeje për përfundimin e luftës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky theksoi rëndësinë e rezultateve konkrete nga takimi në Berlin dhe bisedimet dypalëshe me liderët.
“Është e rëndësishme që takimi i sotëm i Koalicionit të të Vullnetshmëve dhe takimet dypalëshe me liderët të japin rezultate”, shkroi Zelensky në rrjetin social X.
“Më shumë mbështetje është rrugës. Faleminderit të gjithëve që po ndihmojnë”, shtoi ai.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, përshëndeti faktin që Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kishin rënë dakord, gjatë bisedimeve të fundit në Abu Dhabi, “që Evropa të përfshihet” në negociata, të cilat deri më tani janë dominuar nga SHBA-ja, Rusia dhe Ukraina.
Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se e ardhmja e sigurisë evropiane do të përcaktohet nga zhvillimet në Ukrainë.
“Rezultati i kësaj lufte do të përcaktojë sigurinë në Evropë për një kohë të gjatë”, shkroi Merz.







