Aleanca ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të thërras seancën konstituive të Kuvendit për t’i hapur rrugë zgjedhjes së presidentit. Sipas tyre, vetëm në këtë formë do t’i hapet rruga edhe zgjedhjes së presidentit konsensual. Të njëjtit theksuan se votat e shtatë deputetëve të Aleancës për çështjen e presidentit janë në tavolinë, por duhet të pranohen gjashtë pikat e tyre, përfshirë gazin amerikan.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, në konferencë për media të hënën akuzoi LVV-në se qëllimisht po e zvarrit formimin e institucioneve në mënyrë që data e zgjedhjeve të reja të mbahet në fundvit.
“Votat e Aleancës janë në tavolinë për president. Thërrasim sa më shpejt të ndodhë kjo dhe kërkojmë që as neve mos të na adresojnë vetëm t’i marrin disa vendime të ligjshme, të cilat konfirmojnë që gazi amerikan hyn në Kosovë. Investime në ndodhin dhe ato gjashtë pika, që mos t’i përsëris. Te Gjykata Kushtetuese ne kemi pasur diskutim, i njëjti ka qenë edhe atë natë kur kemi kërkuar seancën. Në një natë përpara kemi thënë u shkel Kushtetuta dhe tash po iu referohemi rregullores 48-orëshe. Unë nuk mendoj se ka krizë kushtetuese, por mendoj se këtu ka krizë politike. Kriza politike iu ka imponuar Kosovës falë një qëllimi politik të LVV-së për t’i pasur tri pozitat në kontroll”, tha ai.
Tahiri përsëriti se çështjen e moskonstituimit të Kuvendit nuk do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese. Derisa shtoi se nuk ka ende një iniciativë nga deputetët e ish-opozitës për t’i mbledhur dyzet nënshkrime për ta thirrur seancën e jashtëzakonshme.
“Ne nuk kemi një iniciativë që ndërlidhet me një seancë të jashtëzakonshme me dyzet nënshkrime. Tash për tash nuk e kemi dhe, duke mos e pasur në mënyrë hipotetike, nuk mund të jap përgjigje. Me pas ndonjë ide që e nxjerr vendin nga kjo krizë, automatikisht ne ia japim LDK-së apo PDK-së, ose ata neve nënshkrimet. Por nuk ka një kauzë. Situata është e qartë. Qëllimi është me u zgjat afati i konstituimit të Kuvendit në mënyrë që të krijohet kohë më shumë për Kurtin dhe ai të pozicionojë datën e zgjedhjeve kur po dëshiron. Me dashtë ai me i themeluar institucionet, kjo punë është bukur e lehtë. Numrat dihen, emrat konsensualë krejt jemi pajtuar. Kosova ka boll emra seriozë, ndërtohet platforma serioze. Por kjo mundet me hy në funksion vetëm kur dihet kush e kush janë në Kuvend”, tha ai.








