Të gjithë bashkë u mblodhën në Kryesinë e Kuvendit.
Përfaqësuesit e partive politike për herë të parë po takohen për të filluar legjislaturën e 11-të në Kuvend.
Në mbledhjen e kryetares së Kuvendit dhe nënkryetarëve nga partitë, prezent ishin edhe Partia Demokratike e Kosovës.
Ani pse formalisht nuk e kanë të zgjedhur nënkryetarin, në takim erdhi shefi i grupit parlamentar, Arian Tahiri.
Ky i fundit tregoi se çka kërkoi në këtë mbledhje.
“Në emër të partisë Kryesisë i kërkova që fillimisht Kuvendi ta ketë deklaratë të përbashkët dhe u dakorduam ta kemi deklaratën e përbashkët në seancën që do mbahet të hënën. Më e rëndësishme është nisma ligjore që e kemi dorëzuar në Kuvend dhe prej Kuvendit nisma për mendim ka shkuar në Qeveri. Andaj presioni i të gjithëve duhet të jetë te Qeveria”, tha Artan Tahiri.
Tahiri tha se për nismën e PDK-së, Haxhiu i ka thënë se do të zhvilloj takime me kryeministrin Kurti.
“Këtë kërkesë dhe presion e bërë te Kryesia ku Haxhiu u zotua se personalisht do të angazhohet dhe do komunikojë me kryeministrin që kjo nismë të trajtohet me urgjencë. Të mos neglizhohet dhe të sigurohet vullneti i secilës forcë politike që të bëhet amandamenti i Ligjit për Dhomat e Specializuara karshi situatës në të cilën jemi”, deklaroi shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Artan Tahiri.
Mirëpo, kur kryekuvendarja u pyet për nismën, ajo tha se nuk janë konsultuar paraprakisht.
“Sa i përket projektligjit u munduam ta pyesim Tahirin se me kë jeni konsultuar, sepse mendoj që shumë më e drejtë të ishte që çfarëdo të bënim të vinim në Komisionin për Legjislacion dhe të draftonin një ndryshim-plotësim të ligjit. Ose që paraprakisht të konsultohen ekspertët e fushës dhe ekipet e mbrojtjes. Nuk mendoj se bëjmë mirë nëse nuk i konsultojmë ekipet mbrojtëse për çfarëdo iniciative ligjore. Sipas informacioneve, ekipet mbrojtëse nuk janë konsultuar dhe është gabim”, tha Albulena Haxhiu.
Por ajo tregoi se në seancën e së hënës do të kenë një deklaratë të përbashkët të gjitha partitë për aktgjykimin në Hagë ndaj ish krerëve të UÇK-së.
“Miratimin e një deklarate që lidhet me procesin në Hagë, përkatësisht me vendimin e padrejtë të Gjykatës Speciale. Jemi dakorduar që paraprakisht të mos vendosen deputetët para një akti të kryer, mirëpo që të kontribuojmë në draftimin e kësaj deklarate. Të jetë një qëndrim i Kuvendit. Deklaratat nuk kanë peshë juridike, por të jetë një qëndrim i Kuvendit”, shtoi Haxhiu.
Haxhiu foli edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
“Unë jam shumë e shqetësuar për mënyrën se si i trajton Gjykata lëndët. Nuk është Gjykata Kushtetuese institucion që duhet të ua bëj qejfin partive politike. Nëse ne kemi gabuar; thuaje këtu ka qenë gabimi. Pra, pak po ia bëjë qejfin Vetëvendosjes, këtu po ja bëjë qejfin PDK-së. Këtu po e mbylli syrin. Këtu po e hapi syrin. Kjo është çështje shumë serioze”, potencoi Haxhiu.
Për deklaratën e përbashkët, folën edhe Vetëvendosje dhe Aleanca.
“Po ashtu patëm një pajtueshmëri për një deklaratë të përbashkët e cila do të shprehte edhe unitetin e jo vetëm të partive politike, por mbi të gjitha unitetin e qytetarëve në raport me një qëndrim politik me vendimin e padrejtë të Gjykatës Speciale të datës 16 shtator”, tha Arbërie Nagavci, shefe e grupit parlamentar të VV-së.
“Aleanca në këtë takim e ritheksoi atë që e ka thënë para tri ditëve, nevojën që Kuvendi i Kosovës të ketë një deklarim politik, deklaratë për Rezolutë që do të dënonte, dhe në të njëjtën kohë do të kërkonte drejtësi për katër çlirimtarët tanë në Hagë. Këtë kërkesë e theksova në takimin e Kryesisë, por në të njëjtën kohë edhe i dhashë mbështetje Grupit Parlamentar të PDK-së për nismën e tyre që tashmë është në Qeveri”, deklaroi Besnik Tahiri nga Aleanca.
Në këtë mbledhje të parë të kryesisë, u diskutua për formimin e komisioneve të rregullta parlamentare.



