Sulmuesi Albion Rrahmani ka gjasa të mëdha ti mungojë Spartës së Pragës në ndeshjen derbi kundër Slavias, e cila luhet të dielën në kuadër të kampionatit të Çekisë.
Rrahmani duket se ka pësuar lëndimin në ndeshjen e fundit të Spartës dhe mbetet të shihet nëse do të rikuperohet me kohë për të qenë i gatshëm për lojë.
Sparta, të martën mbrëma u eliminua nga Kupa e Çekisë pasi u mposht nga Mlada Boleslav në penallti ku koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan pa gola.
Rrahmani ishte startues te Sparta dhe u zëvendësua pas pjesës së parë, ndërsa trajneri Brian Priske nuk dha shumë detaje për sulmuesin e Kosovës.
“Rrahmani nuk ndihej mirë”, tha Priske duke aluduar në zëvendësimin e sulmuesit 25-vjeçar.
Deri në fund të javës, do të shihet nëse Rrahmani do të jetë gati për t’u paraqitur në duelin kundër Slavias, ekip që prinë në tabelë me shtatë pikë më shumë se Sparta.
Rrahmani në 37 ndeshje të luajtura deri më tani në të gjitha garat për Spartën, ka shënuar 14 gola dhe ka bërë 3 asistime.











