Një alarm për bombë ka detyruar nxënësit dhe stafin e SHFMU “Daut Bogujevci” në Fushë Kosovë të dalin menjëherë jashtë nga objekti i shkollës.
Policia e Kosovës ka konfirmuar për Tëvë1 se ka marrë informacionin për dyshimet lidhur me një shpërthim të mundshëm dhe ka dalë menjëherë në vendngjarje.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha:
“Rreth orës 14:30 është pranuar një informatë për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në një shkollë në Bresje të Fushë Kosovës. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar situatën,” ka thënë ajo.
Sekretari i shkollës, Betim Ahmeti, konfirmoi gjithashtu për Tëvë1 evakuimin e nxënësve dhe stafit:
“Ka pasur një alarm për bombë në shkollë, dhe menjëherë kemi urdhëruar nxënësit dhe stafin të evakuohen jashtë për sigurinë e tyre,” tha Ahmeti.
Ai shtoi se të gjithë nxënësit dhe punonjësit e shkollës janë larguar nga objekti dhe se policia tashmë po menaxhon situatën:
“Shkolla e ka marrë email dhe ka lajmëruar Drejtorinë e Arsimit dhe policinë. Kemi bërë evakuimin e nxënësve, dhe të gjithë janë siguruar që askush të mos mbetet brenda. Në fund, unë dola me policinë, dhe tash shkolla është nën menaxhim të saj. Janë bllokuar të gjitha hyrjet, kështu që gjithçka është nën kontroll sa i përket nxënësve. Tash mbetet proces i policisë. Krejt nxënësit janë larguar nga shkolla dhe janë në objektin e komunës,” tha Ahmeti.




