Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave të dyshuar për fajde, shpëlarje parash, falsifikim dokumentesh, mashtrim e kanosje.
Sipas aktakuzës, të pandehurit B.M dhe Q.M, gjatë vitit 2020 në kundërshtim me ligjin, kanë kontraktuar një shumë të konsiderueshme dhe joproporcionale të pasurisë në këmbim të një shërbimi ndaj të dëmtuarit, duke i dhënë atij para me fajde disa herë.
“Ekziston dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit ia kanë tjetërsuar të dëmtuarit pronën në Prishtinë, pasi nuk ka qenë në gjendje t’i kthejë mjetet financiare”, thuhet në aktakuzë.
Ata ngarkohen se iu shkaktuan dëm të dëmtuarve në vlerë 6 milionë e 300 mijë euro.
“Gjithashtu, B.M dhe Q.M, akuzohen se në bashkëkryerje, duke e ditur se pasuria rrjedh nga aktiviteti kriminal, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore dhe të fshehjes së vlerës reale, në mënyrë të kundërligjshme e konvertojnë, duke u shkaktuar dëm të dëmtuarve në vlerë prej 6 milionë e 300 mijë euro. Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës që të anulojë në tërësi të gjitha veprimet juridike të kundërligjshme”, theksohet në njoftim.