Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë ndaj 32 zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe 2 doganierëve për marrje ryshfeti.
Arrestimi i tyre ishte bërë në vitin 2022 në dy operacione të njohura si “Pika” dhe “Pika2”.
Aksioni “Pika” ishte zhvilluar më 14 mars ku ishin arrestuar 50 zyrtarë shtetërorë, 48 nga ta policë.
Ndërsa, ndaj 12 prej tyre, të cilët ishin pjesë e Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit ‘’Qafë Prush’’ është ngritur aktakuzë.
“Prokurori Speciale njofton se të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë kanë marrë ryshfet nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, me rastin e kalimit në pikat kufitare ‘’Qafë Prush’’, me ç ‘rast kanë lejuar hyrjen e personave në territorin e Kosovës, pa i verifikuar dhe pa i kontrolluar nëse i plotësojnë kushtet ligjore për hyrje dhe dalje nga territori i Republikës së Kosovës, sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë, përcjell teve1.info
Ndërsa në aksionin “Pika 2”, i zhvilluar më 8 prill 2022, ishin arrestuar 26 zyrtarë policorë Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit ‘’Qafë Morinë’’, ku ndaj 23 policëve është ngritur aktakuzë ka njoftuar prokuroria.
“Prokurori Speciale njofton se të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë kanë marrë ryshfet nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, me rastin e kalimit në pikat kufitare ‘’Qafë Morinë’’, me ç ‘rast kanë lejuar hyrjen e personave në territorin e Kosovës, pa i verifikuar dhe pa i kontrolluar nëse i plotësojnë kushtet ligjore për hyrje dhe dalje nga territori i Republikës së Kosovës, sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në komunikatë.
Aksionet “Pika” dhe “Pika 2” i IPK-së dhe Doganës së Kosovës, ishte vlerësuar si më i madhi që ka të bëjë me përfshirjen e zyrtarëve të PK-së në vepra penale. Sipas IPK-së zyrtarët policorë dyshohej se ishin përfshirë në 400 vepra penale./teve1.info/







