Ky laborator ku kultivohej droga u shndërrua në skenë krimi pas intervenimit të njësive policore të Kosovës mesditën e së hënës. Kjo pas një aksioni anti-drogë në fshatin Izvor në veri të vendit.
Në atë pikë që lidh Kosovën me Serbinë, u asgjësuan afër 10.000 fije të bimëve të dyshuara narkotik.
Pronar i laboratorit ku u gjet droga dyshohet se është Sinisa Nedeljkoviq.
Sipas policisë, vlera e drogës së konfiskuar rezulton në vlerë prej 6 milionë euro.
E drejtori i antidrogës në Policinë e Kosovës, Reshat Murseli, tregon se planet ishin që droga të transportohej jashtë territorit të Kosovës.
Kurse nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, njoftojnë se ky rast akoma është duke u hetuar.
Ndërsa këtë aksion te policisë e ka vlerësuar lartë edhe ish drejtor i policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.
Megjithatë ai ka kërkuar fokus më të shtuar për veriun e vendit.
Ndërkaq eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, thotë se Kosova në të kaluarën ka qenë një vend transit për lëndët narkotike, ndërsa tani ka filluar të kultivohet, dhe kjo sipas tij përbën një fakt shqetësues.
Në këtë aksion të policisë së Kosovës nuk është raportuar për asnjë lënduar, pavarësisht se ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë.
Raporti i gazetarit Shpat Blakçori.








