Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka uruar akademiken Justina Shiroka-Pula për zgjedhjen presidente të Republikës së Kosovës.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka vlerësuar se zgjedhja e Shiroka-Pulës vjen në një moment kur Kosova ka nevojë për stabilitet institucional, bashkëpunim dhe mbështetje të gjithanshme në proceset e integrimit euroatlantik.
Akademia ka vlerësuar edhe bashkëpunimin me Shiroka-Pulën gjatë kohës sa ajo drejtoi Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), duke veçuar forcimin e bashkëpunimit strategjik ndërmjet dy akademive.
“Shumë projekte dhe iniciativa të përbashkëta janë duke u zbatuar ndërmjet dy institucioneve tona”, thuhet tutje..
Sipas Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, nën drejtimin e Shiroka-Pulës, ASHAK ka punuar për të rritur rolin e kërkimit shkencor dhe të kërkuesve në jetën e vendit, si dhe për të zgjeruar bashkëpunimin me botën akademike mbarëshqiptare dhe atë ndërkombëtare.
“Zgjedhja e saj është edhe një vlerësim dhe ngjarje domethënëse për komunitetin akademik shqiptar, i cili ka qenë dhe mbetet një pasuri intelektuale në të mirë të zhvillimit të vendeve tona”, thuhet më tej.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka vlerësuar përvojën dhe vizionin e Shiroka-Pulës, duke shprehur bindjen se ato përbëjnë një vlerë të rëndësishme për përmbushjen e përgjegjësive të saj si presidente e Kosovës.
Akademia i ka uruar Shiroka-Pulës suksese në detyrën e re dhe ka shprehur bindjen se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve akademike të Shqipërisë dhe Kosovës do të forcohet edhe më tej.







