Akademia e teknologjisë Creative Hub organizoi sot konferencën “Expand to US and AI” me qëllim që të thelloj bashkëpunimin mes Kosovës dhe Miamit.
Me këtë rast, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, theksoi se sukseset e Kosovës në sektorin e teknologjisë dhe inovacionit janë rezultat i një brezi që refuzoi të përcaktohej nga kufizimet.
Sipas saj, një brez që pa teknologjinë si mënyrë për të hapur dyert që dikur na ishin mbyllur; një brez që kuptoi se e ardhmja do t’u përkasë jo vetëm më të mëdhenjve dhe më të fuqishmëve, por edhe më guximtarëve.
Osmani tha po ashtu se në çdo startup, në çdo nismë dhe ide të themeluar, të rinjtë tanë po dëshmojnë se Kosova mund të garojë dhe të udhëheqë në skenën botërore.
“Fokusi i konferencës së sotme, që është inteligjenca artificiale, nuk mund të ishte më i përshtatshëm. Ajo po transformon çdo fushë të jetës dhe çdo aspekt të shoqërive tona, nga kujdesi shëndetësor te arsimi, nga shërbimet publike deri te siguria. Por, më e rëndësishmja është si vendosim ta përdorim atë, nëse do ta përdorim për të na fuqizuar, për të ngritur njerëzit, e jo për t’i zëvendësuar ata. Vizioni ynë ka qenë gjithmonë i qartë: Ne duam teknologji që pasqyron vlerat tona, inovacion që krijon mundësi, jo pabarazi. Dhe, sigurisht, për këtë arsye duhet të flasim për përfshirjen. Sepse, nëse e ardhmja e teknologjisë ndërtohet kryesisht nga burra, mund të ndodhë që ajo t’i anashkalojë përdorueset femrat, dhe pastaj t’u kërkojë atyre t’i rregullojnë gabimet. Siç e dimë të gjithë, shpesh janë gratë ato që duhet të ‘pastrojnë rrëmujën’. Pra, tashmë kemi mjaft sektorë që drejtohen vetëm nga burra, nuk kemi nevojë të shtojmë edhe një tjetër në listë”, theksoi Osmani.
Ndërsa,drejtoresha e Creative Hub Kosova, Arijana Koskarova u shpreh se talenti i Kosovës është i barabartë me talentin kudo në botë e për këtë arsye duhet mundësuar kushte të barabarta që rinia e Kosovës të përparoj.
“Në vitin 2024, arritëm një sukses të madh, u bëmë akademia e parë në Ballkan e akredituar nga Departamenti Amerikan i Arsimit për të lëshuar diploma amerikane, jo vetëm për studentët tanë në SHBA, por edhe për studentët tanë në Kosovë. Këto diploma amerikane mund të jepen edhe nëse programi ndiqet në gjuhën shqipe ose angleze. Kështu arritëm ta vendosim gjuhën shqipe si gjuhë të barabartë me anglishten. Por zgjerimi nuk ka të bëjë vetëm me gjeografinë, ka të bëjë me mënyrën e të menduarit. Me sjelljen së bashku të më të mirës nga SHBA dhe më të mirës nga Kosova”, tha ajo.
Po ashtu ajo ka theksoi se Fondi i bursave për Inteligjencën Artificiale i Creative Hub, është një nismë për të mbledhur 100.000 euro për të mbështetur të rinjtë në gjithë Kosovën që të fitojnë arsim të akredituar amerikan dhe aftësi në fushën e inteligjencës artificiale.
Në këtë ngjarje të pranishëm ishin edhe kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, kryetari aktual i Prizrenit, Shaqir Totaj dhe përfaqësues te bizneseve të teknologjisë në Kosovë dhe jashtë saj.