Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) u ka bërë thirrje gazetarëve, kameramanëve, reporterëve dhe të gjithë punonjësve medialë që po raportojnë nga protesta, të tregojnë kujdes të shtuar gjatë punës në terren.
“Gjatë protestës, Policia po përdor gaz lotsjellës dhe topa uji, ndërsa nga protestuesit po hidhen mjete piroteknike në drejtim të Policisë.
Prania e ekipeve mediale pranë pikave të përplasjes e rrit edhe më shumë rrezikun për sigurinë e tyre”, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK u ka bërë thirrje redaksive që t’i pajisin gazetarët dhe punonjësit e tjerë medialë me mjetet e nevojshme mbrojtëse për raportim në situata të tilla dhe të mos i ekspozojnë ata në mënyrë të panevojshme ndaj rrezikut.
“Njëkohësisht, u bëjmë thirrje të gjithë kolegëve në terren që ta kenë sigurinë personale prioritet, të mbajnë distancë nga pikat ku ka përplasje mes protestuesve dhe Policisë dhe të shmangin ekspozimin e panevojshëm ndaj rrezikut”, thuhet në reagim.







