Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të enjten në Kuvendin e Kosovës se “një qytetar i dezinformuar nuk është një qytetar i lirë”, duke shtuar se manipulimi informativ vjen nga “armiqtë” dhe, sipas tij, gjen mbështetje edhe brenda vendit.
Këto deklarata janë dënuar ashpër nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), i cili i ka cilësuar ato si retorikë nxitëse dhe akuzuese ndaj mediave dhe gazetarëve, duke i konsideruar ata si “argatë të armiqve”.
Sipas AGK-së, Kurti ka shfrytëzuar foltoren e Kuvendit për të vazhduar sulmet ndaj mediave, duke përmendur edhe “hyrjen e parave në mënyrë të padukshme”.
“Një gjuhë e tillë është vazhdimësi e fushatave të parreshtura të Kurtit, partisë dhe Qeverisë së tij, kundër gazetarëve dhe mediave me synim minimin e raportimit të pavarur dhe të lirë”, thuhet në reagim.
AGK-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të sigurojë transparencë në hartimin e ligjit të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), të ndalojë presionin politik ndaj transmetuesit publik RTK dhe të heqë dorë nga, siç i quan ajo, fushatat denigruese ndaj gazetarëve.
Në reagim gjithashtu theksohet se deklaratat e fundit të Kurtit vijnë vetëm pak ditë pas vizitës së një misioni faktmbledhës të Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve, i cili ka konstatuar rënie të vazhdueshme të lirisë së medias në Kosovë në vitet e fundit.
Ndryshe, kryeministri i vendit, Albin Kurti i ka rikthyer sërish akuzat ndaj mediave, duke pretenduar në seancën e së enjtes se një pjesë e tyre po i bëjnë “argatin” armiqve të vendit dhe po paguhen prej tyre./teve1.info/
Kurti: Qytetarët po dezinformohen, armiqtë tanë po gjejnë argatin brenda vendit







