Autore: Jona Kelmendi
Qytetarë të shumtë që mëngjesin e kësaj të mërkure shkuan për të blerë pereca e bukë, u kthyen duarbosh, kur panë dyert e mbyllura të furrës “Adriatiku”.
Xhamat e thyer dhe gjurmët e tymit në mure tregonin për zjarrin që një natë më parë kishte përfshirë njërën nga furrat më të vjetra të Mitrovicës së Jugut.
Flakët shpërthyen në orët e vona të së martës, duke mobilizuar banorët e lagjes dhe njësitë e zjarrfikësve për shuarjen e tyre.
Disa nga konsumatorët e rregullt të kësaj furre shprehen të shqetësuar për këtë ngjarje.
“Kjo furrë është shenjë e Mitrovicës, është shumë domethënëse për neve, ishalla hapet sa më shpejt. Për më tepër nuk e di. Çdo ditë vi, dje me tregu drejtën 25 pereca i kam ble. Është zakonisht mëngjesi i Mitrovicasve – domethënë, ashtu e fillojmë ditën: djathë, çaj edhe pereca, qashtu shkojnë”, shprehet qytetari Ymer Shala.
“Kjo furrë ekziston që 60-70 vjet, së paku. Është një prej furrave më të vjetra dhe janë prej njerëzve më të mirë. Këtu ushqehem. Erdha sot me marrë, por po, kjo paska qenë e djegur nga dikush me qëllim. Po më vjen keq me thonë, por dyshoj. Shumë keq po më vjen, janë njerëz shumë të mirë”, tha Hazir Jusufi – qytetar.
“Me të vërtetë është mëkat për këta këtu, se na e dimë që veprimtaria e furrtarëve është e vështirë. Mirëpo, ishalla nuk është dorë e njeriut, se edhe vjet i ka lonë pa bukë myshterinjtë e këtij. E tash prapë… shumë keq, edhe shumë keq po më vjen që e dëgjova”, shprehet Sokol Xhemajli.
Nga ana tjetër, pronari i furrës, Faton Çollaku, në një përgjigje me shkrim për Tëvë1, tha se zjarri ka shkaktuar vetëm dëme materiale, duke mohuar çdo dyshim për zjarrvënie të qëllimshme.
“Prapë, një fatkeqësi e një natyre të njëjtë – zjarr. Por pa dëme te njerëzit, vetëm dëme materiale, dhe nuk kemi asnjë dyshim se mund të jetë zjarrvënie me qëllim, ose nga ndonjë palë tjetër që mund ta ketë shkaktuar. Kjo ka ndodhur si pasojë e druve që përdoren në furrën e këtij lloji, me të cilën punojmë. Ju shpreh shumë mirënjohje të gjithë qytetarëve, veçanërisht qytetarëve të Mitrovicës që kanë treguar interes për rastin. Unë, si pronar i furrës më të vjetër në qytet, jam shumë mirënjohës për gjithë kontributin në shuarjen e zjarrit që ndodhi mbrëmë, pasi nuk ka qenë asnjëri nga ne në lokal”, tha pronari i furrës.
Edhe sipas Policisë së Kosovës, në rajonin e Mitrovicës së Jugut, rasti nuk është cilësuar si vepër penale.
Gjatë shuarjes së zjarrit ka pësuar lëndime të lehta një kalimtar i rastit.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, njësia e zjarrfikësve si dhe ambulanca, pasi një kalimtar i rastit, i moshës madhore, ka tentuar ta fikë zjarrin dhe ka pësuar lëndime të lehta trupore. I njëjti është dërguar në emergjencë, ku pas marrjes së trajtimit mjekësor është liruar në shtëpi. Me urdhër të prokurorit kujdestar nuk është iniciuar rast, pasi nuk ka pasur elemente të ndonjë vepre penale”, thuhet nga policia.
Kjo furrë ishte djegur edhe një herë më parë – në prill të vitit 2024.