Pas një serie të shkëlqyer prej gjashtë ndeshjesh pa humbje, Grasshopper Club Zürich (GC) duket se po gjen stabilitetin në Superligën zvicerane. Fitorja e parë në kampionat, dy javë më parë ndaj Lausanne, ka rritur moralin në kampin “hoppers”, dhe tani vjen edhe një lajm i mirë për tifozët: Amir Abrashi është kthyer në stërvitje me ekipin.
Kapiteni dhe lideri shpirtëror i skuadrës, Amir Abrashi (35 vjeç), kishte munguar që nga fillimi i gushtit për shkak të një dëmtimi muskulor. Tashmë ai është rikthyer në stërvitje me grupin dhe është në listën e trajnerit për ndeshjen e ardhshme ndaj Luganos.
Trajneri Gerald Scheiblehner (48), megjithatë, është i kujdesshëm:
“Amiri është shumë i rëndësishëm për ekipin, por kur mungon gjashtë apo shtatë javë, është e qartë që nuk je në formën maksimale,” – thekson ai.
“Ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos rrezikojmë një tjetër dëmtim. Ai është një opsion për listën e skuadrës kundër Luganos, por jo për formacionin titullar.”
Rikthimi i Abrashit mund të sjellë më shumë siguri dhe përvojë në mesfushë, sidomos në një përballje të vështirë si ajo ndaj FC Lugano, ku pritet një sfidë e fortë për të vazhduar serinë pozitive.