Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka uruar qytetarët e Kosovës në përvjetorin e 17-të të pavarësisë.
Abdixhiku ka thënë se shteti i Kosovës është shpagim i përpjekjes së gjeneratave të tëra për çlirim e pavarësim.
Ai më tej ka shtuar se dashurinë për pavarësi e shtet s’mund ta zhbëjë përplasja e brendshme pasi sipas tij përplasja është e përkohshme, ndërsa atdheu është i përhershëm.
“Kosova shtet, Republikë, është arritja më e madhe e jona. Është shpagim i përpjekjes së gjeneratave të tëra për çlirim e pavarësim, është mburojë e garantuar për të gjithë ata që vijnë. Në këtë ditë nderojmë Atin Themeltar të kësaj Republike, Presidentitn Dr. Ibrahim Rugova prirja e së cilit – në orët tona më të rënda – dha dritë. Sot nderojmë gjithë luftëtarët, martirët e dëshmorët e luftës sonë çlirimtare, të Ushtrisë sonë Çlirimtare, nderojmë Familjen Jashari, sakrifica e të cilëve na qëndron si gurëthemel i vet lirisë. Nderojmë aleatët tanë, ata që bënë luftën me ne, bënë paqen me ne!
Në këtë përvjetor të 17-të, le të kujtojmë se dashurinë për pavarësi e shtet s’mund ta zhbëjë përplasja jonë e brendshme. Përplasja është e përkohshme, atdheu ynë është i përhershëm. Ky atdhe na thërret të vazhdojmë rrugëtimin secilën ditë. Sot, festojmë të gjithë. Veç një Kosovë kemi. Urime dita e pavarësisë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.