Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku do të takohen nesër.
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa bëri të ditur se takimi do të zhvillohet në orën 18:00 në Kuvendin e Kosovës.
Më herët gjatë ditës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza e refuzoi ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për takim p;ër të diskutuar krijimin e institucioneve të reja të Kosovës.
Hamza në letrën drejtuar Kurtit tha se PDK-ja do të qëndrojë në opozitë.
“Duke iu referuar takimit tonë të datës 10 korrik 2026 dhe qëndrimit publik të PDK-së, ju rikonfirmoj se, në rrethanat aktuale, qëndrimi ynë është që të vazhdojmë të qëndrojmë në opozitë.
Presim që ju, në përputhje me përgjegjësitë që ju burojnë nga zgjedhjet e 7 qershorit 2026, së bashku me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, të arrini marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja të vendit”, thuhet në letrën e Hamzës dërguar Kurtit.
Edhe kryetari i Aleancës, Ardian Gjini refuzoi ftesën e kryeministrit në detyrë dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për takim për të diskutuar krijimin e institucioneve të reja të Kosovës.
Gjini në përgjigjen drejtuar Kurtit shkruan se nuk sheh fare arsye për takim me të.
Në letrën që Gjini i dërgoi Kurtit më tej shprehet se Aleanca nuk ka kurrfarë interesi për t’u bërë pjesë e qeverisë së re, ndërsa për themelimin e institucioneve mund të ndihmojnë, në rast se Vetëvendosje pranon kërkesat e tyre.
“I nderuar z. Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Në letrën kthyese të datës 9 korrik 2026, Aleanca e ka qartësuar pozicionin e vet sa i përket themelimit të institucioneve. Aty ju kemi bërë të ditur se nuk kemi kurrfarë interesi që të jemi pjesë e Qeverisë së Kosovës, në asnjë format. Po ashtu, e kemi ofruar mundësinë e ndihmesës për themelimin e institucioneve dhe evitimin e zgjedhjeve të reja, duke pasur parasysh pikërisht zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Ne kemi vendosur gjashtë pika që besojmë se janë interes jetik për Kosovën dhe qytetarët e saj, ndërkohë nuk e kemi marrë asnjë përgjigje direkte ose indirekte për to”, shkroi Gjini në letër.
Gjini në letër i radhiti i gjashtë kërkesat e Aleancës.
“Gjashtë pikat tona janë: Orientimi Strategjik dhe Gazi Amerikan – Pranimi i menjëhershëm i projektit të gazit amerikan si prioritet strategjik dhe jetik shtetëror. Pavarësia Energjetike – Nisja e menjëhershme e procedurave për ndërtimin e termocentralit të ri me thëngjill, për të garantuar sigurinë energjetike të vendit. Lehtësimi për Bizneset e Vogla – Ngritja e pragut të TVSH-së nga 30 mijë euro në 100 mijë euro. Mbështetja për Bujqësinë – Lirimi i tokës së punuar nga tatimi në pronë për nxitjen e prodhimit vendor. Buxhetimi i Infrastrukturës – Financimi i plotë i projekteve rrugore dhe kapitale të mbetura pezull. Fondi Emergjent për Kryeqytetin – Ndarja e 800 milionë deri në 1 miliard euro investime kapitale për Prishtinën.
Prandaj, Aleanca nuk sheh fare arsye që të takohemi në këtë format”, shkroi Gjini.
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot ua dërgoi ftesat partive politike për takime për të diskutuar për krijimin e institucioneve të reja.
Kjo ftesë bëhet pak ditë para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e caktuar të mbahet më 6 gusht.
Vetëvendosje, e cila i fitoi zgjedhjet e 7 qershorit, ka nevojë për një marrëveshje me opozitën për t’u siguruar që vendi do të ketë president të ri dhe kështu t’i japë fund krizës së gjatë politike dhe institucionale.
Vetëvendosje i mori 53 mandate dhe duke e pasur parasysh bashkëpunimin e deritanishëm të Kurtit me partitë e pakicave joserbe atëherë ai pritet t’i ketë votat e nevojshme prej të paktën 61 për ta konstituuar Kuvendin dhe formuar Qeverinë e re.
Por, nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.









