Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme, pensionet e veteranëve nuk u përfshinë në projektligjin për pagën minimale i cili kaloi në parim në Kuvend. Për shkak të kësaj, organizatat e dala nga lufta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të protestojnë sërish të enjten.
Kundër idesë që veteranët të dalin në rrugë po shprehet deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha.
“Pjesëmarrja e veteranëve si qytetarë është temë tjetër. Protesta e veteranëve është protestë e veteranëve. Unë nuk jam për nxjerrjen e veteranëve në rrugë. Ne të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të protestojmë për ta. Në institucione, ta bëjmë luftën në institucione jo në rrugë”, tha Berisha.
Mundësinë që t’i bashkohet veteranëve në protestë nuk e përjashton deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj.
“Ne si parti politike nuk e kemi një qëndrim, nuk jemi mbledh si kryesi me e përkrah dmth organizatorët e kësaj proteste janë shoqatat e luftës. Ndoshta jo në cilësinë e deputetes, unë nesër mundem me marr pjesë në protestën e veteranëve por si veterane e luftës sepse i përkrah, është e drejtë e tyre legjitime”, tha Kadrijaj.
E Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve tha se presin nga opozita që ligjin ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese.
“Këtu është bërë edhe shkelje e kushtetutshmërisë, sepse një qeveri thirret në një ligj që nuk është i aplikueshëm dhe shkel nenet e një ligji për qëllime të caktuara politike, për të degraduar luftën e UÇK-së, ne do t’i përdorim të gjitha format dhe do të konsultohemi me deputetë që janë në këtë parlament dhe kjo do të shkojë në Kushtetuese”, tha Jashari.
Veteranët protestuan edhe më 6 qershor. Nga protesta pati edhe të lënduar.
Raporti i gazetarit Gojart Jashari.