Publicisti Kim Mehmeti ka deklaruar se protestat në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të kenë ndikuar në zhvillimet politike që paraprinë zgjedhjen e presidentes së re të Kosovës.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Mehmeti ka kritikuar partitë opozitare, duke pretenduar se ato i kanë përdorur protestat për interesa politike dhe për të dëmtuar kryeministrin Albin Kurti.
“Njeriu nuk mund të jetë aq i pandjeshëm, mos ta dijë që manipulohet me vrullin rinor dhe se ajo rini e manipuluar, nesër nëse shkon në zgjedhje mund të ketë edhe eksese të tjera dhe ju duhet të jeni fare naiv që të mendoni se kjo mund të kalojë kështu. Sepse, në fund të fundit, unë mendoj se liderët e partive opozitare nuk mund ta përballin politikisht Albin Kurtin dhe, duke u ndjerë të pafuqishëm që ta zhvillojnë lojën politike me të, ata merren me gjëra që pastaj janë të turpshme për ta.Prandaj unë e shtroj pyetjen: ju këto protestat për dënimin e ish-krerëve nga Haga, a po i përdorni dhe keqpërdorni për ta dëmtuar kundërshtarin tuaj politik? Kjo do të thotë që ju me të vërtetë nuk e keni hallin e atyre çlirimtarëve që janë burgosur, por e keni hallin se si ta dobësoni Albin Kurtin me çdo kusht. Se unë them që, nëse diçka duhej të ndodhte në këto protesta, është që duhej të dilnit dhe të kërkonit falje ata që e votuan atë gjykatë”, ka deklaruar Mehmeti.
Duke folur për zgjedhjen e presidentes, Mehmeti ka thënë se procesi nuk mund të konsiderohet normal, pasi, sipas tij, zgjedhja ndodhi vetëm pak minuta para përfundimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Megjithatë, ai ka vlerësuar se në këtë proces u zgjodh një person që, sipas tij, ishte i përshtatshëm për pozitën e presidentes.
“Situata e zgjedhjes së presidentes nuk ishte normale. Atë nuk mund askush ta shpallë normale që pesë minuta para se të kalojë afati e zgjidhni presidentin. Mirëpo, për fat të mirë, në këtë fatkeqësi ndodhi që u gjet një person, sipas meje, shumë i përshtatshëm për atë pozitë, pra për të ardhur në krye të shtetit, që të jetë ajo fytyra jonë, fytyra e Kosovës dhe, në njëfarë mënyre, të jetë edhe fytyra e shqiptarisë.Mua kjo më intereson, se po ta keni një president siç e ka Shqipëria, atëherë çfarë keni sjellë aty? Çfarë vlere, çka i keni shtuar vlerës të qenurit president? Asgjë”, ka thënë ai.
Sipas Mehmetit, zgjedhja e presidentes nuk ishte e rastësishme, duke marrë parasysh përvojën e saj akademike dhe politike.
“Zonja, edhe pse erdhi pesë minuta para orës 12, ajo nuk është presidente e rastësishme, se nuk mund të jetë e rastësishme kryetarja e Akademisë së Shkencave. S’mund të jetë e rastësishme një zonjë që ka edhe karrierë politike, ka qenë ministre. Në fund të fundit, emri i kryetarit të Akademisë është emër i pashmangshëm që mund t’i shërbejë këtij shteti dhe këtij populli”, është shprehur Mehmeti.
Ai ka vlerësuar gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, u bë propozimi për presidente në një kohë shumë të shkurtër, duke e cilësuar si një veprim gjenial të kryeministrit Kurti.
“Dhe në këtë kontekst është gjeniale sesi, në atë ngushticë kohore kur thuajse s’kishte kohë të zgjidhej, doli kryeministri dhe propozoi një person të tillë. Në gjithë këtë lojë të turpshme që e bënë politikanët e Kosovës, veç në një gjë dallojnë lojtarët: që Vetëvendosja gjithmonë kishte emra kandidat. A keni dëgjuar që PDK apo të tjerat ta thonë një emër, një propozim?”, ka përfunduar Mehmeti./teve1.info/




