Emisioni nisi si çdo ditë tjetër.
Por, një telefonatë, zuri në befasi moderatoren e emisionit “N’krah t’djathtë” në Tëvë1.
Një telefonues pretendoi se po thërriste nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz.
Ky i fundit tha se ishte i dënuar me burgim të përjetshem, ndërsa emri i tij ishte Granit Plava.
Por, reagimi i gazetares Erdonita Hebibi, ishte i menjëhershëm.
Kjo telefonatë, zgjoi reagime të shumta në vend.
Disa komentues e lëvduan sjelljen profesionale të gazetares së Tëvë1.
E të tjerët, pyeten se si ka mundësi një i dënuar me burgim të përjetshëm, të kyçet drejtpërdrejtë në emisionet televizive.
Kjo thirrje e nxori me një reagim edhe Shërbimin Korrektues të Kosovës.
“Sa i përket pretendimit për telefonatë në emisionin tuaj, koha e transmetimit nuk përkon me orarin e lejuar për telefonata. Telefonatat realizohen vetëm sipas rregullave dhe orareve të përcaktuara”, thuhet nga ShKK.
Tutje SHKK, tha se hapësirat monitorohen vazhdimisht nga stafi, por edhe përmes kamerave.
Ndërsa shtuan se biseduan edhe me vet Granit Plavën, i cili e mohoi telefonatën.
“I dënuari ka deklaruar se nuk ka pasur komunikime të tjera përveç telefonatave të rregullta me familjen, ndërsa sipas verifikimit, zëri në atë telefonatë nuk i përket personit në fjalë”, u shpreh ai.
Ndryshe, Granit Plava dhe Naim Murseli u dënuan me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt.
Ndërsa Tëvë1, ashtu sikurse edhe në këtë rast, do të vazhdojë të mos u jep hapësirë personave, ndaj të cilëve është vërtetuar fajësia dhe për të cilët ka një aktgjykim të plotfuqishëm.






