Këtë deklarim e bëri avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Pierre-Richard Prosper, pak minuta pas aktgjykimit dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Deklarata e Prosperit ka rikthyer në debat zhbërjen e Gjykatës Speciale.
Avokati dhe ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, thotë se për zhbërjen e saj nevojiten ndryshime kushtetuese.
“Teorikisht ajo mund të ndodhë për shkak se me shumicën e thjeshtë mund të anulohet apo të revokohet ligji mbi gjykatat apo Dhomat e Specializuara. Mirëpo, për këtë çështje duhet të kemi edhe ndryshime të Kushtetutës, për shkak se ky ligj është miratuar edhe me ndryshime të Kushtetutës. Për me ndryshu Kushtetutën duhet të jenë edhe dy të tretat e komunitetit pakicë”, ka thënë avokati, Hasan Shala.
Por, për avokatin Anton Nrecaj, zhbërja e Gjykatës Speciale nuk do t’i ndihmonte krerët e UÇK-së.
“Është hap i ngutshëm, i pamenduar mirë. Asgjë nuk i ndihmon procesit apo lirimit të akuzuarve, nuk ju ndihmon fare. Vetëm çka ua ngarkon barrën e peshës”, u shpreh avokati tjetër, Anton Nrecaj.
E edhe nëse Gjykata Speciale do të zhbëhej, vendimet e saj nuk do të anuloheshin automatikisht.
“Edhe nëse ndodhë, ky vendim do të mbetet në fuqi dhe ky vendim duhet të ankimohet në shkallën e dytë apo në Gjykatën e Apelit pranë kësaj Gjykate”, tha tutje avokati, Hasan Shala.
Katërshja e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, së bashku u dënuan me 81 vjet burgim.



