Australia është vendi i parë që ndalon përdorimin e mediave sociale nga personat nën moshën 16 vjeç.
Të rriturit e mbështesin këtë, por fëmijët besojnë se ndalimi është një sulm ndaj të drejtave të tyre.
Australia ka ndezur një debat global duke nisur zbatimin e ndalimit të aksesit në rrjetet sociale për të gjithë fëmijët dhe adoleshentët nën 16 vjeç.
Që prej së mërkurës, mijëra të rinj në të gjithë vendin u zgjuan për herë të parë pa mundur të hapin Instagram, TikTok, Facebook apo Snapchat, një lëvizje që synon të mbrojë të miturit nga algoritmet e varësisë, bullizmi online dhe rreziqet e abuzimit.
Kryeministri Anthony Albanese e cilësoi ditën si një moment krenarie për Australinë, duke theksuar se vendi po i rikthen prindërve kontrollin mbi ndikimin e kompanive të mëdha teknologjike. Megjithatë, ai pranoi se rruga nuk do të jetë aspak e thjeshtë.
Çfarë ndodh me platformat?
Dhjetë rrjete sociale, përfshirë Instagram, TikTok, YouTube, Twitch dhe X, janë të detyruara të mbyllin ose të bllokojnë llogaritë e përdoruesve nën 16 vjeç.
Secila prej tyre po e zbaton masën në mënyrën e vet.
• Snapchat pezullon llogaritë për tre vjet ose deri në mbushjen e moshës.
• YouTube çaktivizon llogaritë duke ruajtur të dhënat deri në moshën 16 vjeç, ndërsa lejon shikimin e videove pa llogari.
• TikTok fsheh automatikisht përmbajtjen e të miturve dhe fton prindërit të raportojnë rastet ku fëmijët kanë gënjyer për moshën.
• Meta ka nisur mbylljen e llogarive në Facebook, Instagram dhe Threads.
• Reddit ngrin llogaritë e të miturve dhe bllokon krijimin e të rejave.
• X ende nuk ka qartësuar si do e zbatojë rregullin.
Platforma të tjera, si Discord, Pinterest, Roblox, Messenger dhe YouTube Kids, për momentin janë të përjashtuara nga ndalimi, çka ka shkaktuar polemika, sidomos për Roblox, ku ka pasur raportime për rreziqe ndaj të miturve.
Si verifikohet mosha?
Derisa tani, përdoruesit thjesht vendosnin një datëlindje. Tani, platformat janë të detyruara të përdorin metoda të vërtetuara, si video-selfie, email të verifikuar ose dokumente zyrtare. Qeveria australiane deklaron se këto mënyra janë testuar dhe nuk cenojnë privatësinë.
Edhe pse pritet që disa të rinj të përdorin VPN për ta anashkaluar ndalimin, autoritetet theksojnë se fëmijët nuk do të penalizohen për këtë sjellje.
Si po reagojnë të rinjtë?
Të miturit po kërkojnë hapësira në sistem duke kaluar masivisht në platforma që nuk janë pjesë e “listës së zezë”.
Aplikacione si Yope dhe Lemon8 po shënojnë rritje të përdoruesve në Australi. Yope madje deklaron se nuk do të zbatojë masat, duke pretenduar se nuk ka funksione me mesazhe me të panjohur.
Një pjesë e ekspertëve paralajmërojnë se ndalimi mund t’i shtyjë të rinjtë drejt platformave më të paqëndrueshme dhe më pak të rregulluara, një lëvizje që mund të krijojë më shumë rreziqe sesa zgjidhje.
Adoleshentët duan ta kundërshtojnë ndalimin në gjykatë
Adoleshentët Macy Newland dhe Noah Jones po e kundërshtojnë ligjin në gjykatën më të lartë të Australisë, duke argumentuar se është jokushtetues dhe po mbështeten nga grupi i të drejtave digjitale Digital Freedom Project.
Macy i tha DW-së, se shumica e bashkëmoshatarëve të saj janë kundër ndalimit, duke përmendur mungesën e konsultimit me të rinjtë dhe humbjen e të drejtave dhe aksesit në informacion si shqetësime kryesore.
“Ndalimi i pengon të rinjtë të angazhohen plotësisht në demokraci dhe debat publik para moshës 16 vjeç, gjë që është e gabuar. Nuk mund t’i fuqizosh të rinjtë për t’u angazhuar në debat publik dhe demokraci duke ua hequr atyre aftësinë për të marrë pjesë plotësisht në të”, tha ajo.
“Unë besoj fuqimisht se ka probleme me mediat sociale, lojërat dhe kohën para ekranit në përgjithësi. Por nuk ka kthim prapa, nuk mund të mohohet se jetojmë në një shoqëri ku përparimet teknologjike po përshpejtohen dhe ku komunikimi online është pjesë e jetës sonë të përditshme.”
Newland beson se shumica e adoleshentëve do të përpiqen ta anashkalojnë ligjin, siç konfirmohet nga rezultatet e një sondazhi nga transmetuesi kombëtar ABC.
Në anketën, nga e cila u pyetën më shumë se 17.000 adoleshentë australianë, 75 përqind thanë se do të përpiqeshin ta anashkalonin ndalimin, nëntë përqind menduan se ishte një ide e mirë dhe vetëm gjashtë përqind thanë se ndalimi do të funksiononte mirë.
Ndërsa besohet gjerësisht se qasja e pakontrolluar në mediat sociale mund të jetë e rrezikshme si për fëmijët ashtu edhe për të rriturit, shumica e organizatave për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e fëmijëve besojnë se ligji i ri nuk i adreson këto probleme.
Shumë fëmijë ndihen të privuar nga informacioni
UNICEF Australia thotë se “ndryshimet e propozuara nuk do t’i adresojnë problemet me të cilat përballen të rinjtë kur janë online”, ndërsa Komisioni Australian për të Drejtat e Njeriut thotë se një ndalim “gjithëpërfshirës” ka të ngjarë të ketë “pasoja negative për të drejtat e njeriut të fëmijëve dhe të rinjve”.
Kim Osman nga Qendra për Kërkime në Median Digjitale në Universitetin e Teknologjisë të Queensland thotë se shumica e fëmijëve ndjehen të margjinalizuar dhe të zhgënjyer nga ky vendim.
Osman dhe kolegët e saj zbuluan se adoleshentët janë të vetëdijshëm për rreziqet e mediave sociale dhe duan mbrojtje më të mirë, duke përfshirë filtrim më të mirë të përmbajtjes.
Kishte gjithashtu një ndjenjë të fortë se ndryshimet në ligj do të çonin në një “humbje të komunitetit” për të rinjtë, veçanërisht ata që “kanë gjetur burime të rëndësishme mbështetjeje në mediat sociale. Kjo ishte veçanërisht e vërtetë për komunitetin LGBTQ dhe të rinjtë me të cilët folëm.”
Çfarë pritet të ndodhë më pas?
Qeveria australiane do të monitorojë nga afër ndikimin e ndalimit tek jeta e përditshme e fëmijëve.
Fokus i veçantë do të jetë gjumi dhe ritmet ditore, ndërveprimi social, leximi dhe aktivitetet jashtë, ndikimet emocionale dhe mendore
Në këtë proces do të marrin pjesë studiues nga Universiteti i Stanfordit, të cilët do të publikojnë publikisht metodat dhe gjetjet e tyre.
Synimi është që ky eksperiment të shërbejë si model për vendime të ardhshme edhe në vende të tjera.
Nëse ky projekt funksionon, mund të kemi përpara një moment historik në marrëdhënien midis të rinjve dhe teknologjisë globale.
Nëse dështon, do të hapet një kapitull i ri debati mbi kufizimet, lirinë dhe përgjegjësinë në epokën digjitale.
Në të dyja rastet, bota po sheh me vëmendje, e po përpiqet t’i marrë asaj më të mirën, që në një të ardhme ndoshta të afërt, ta zbatojë po ashtu.











